Shendet

Ushqyerja me gji shpëton 800,000 jetë foshnjash çdo vit

Ushqyerja e foshnjave me qumësht gjiri, shpëton gati më shumë se 800,000 jetë çdo vit, tha Organizata Botërore e Shëndetit (WHO). Organizata lëshoi deklaratën me rastin e Javës Botërore të Ushqyerjes me Gji, nga 1 deri në 7 Gusht, për të inkurajuar ushqyerjen me gji dhe për të përmirësuar shëndetin e foshnjave.

Duke u ndalur këtë vit në temën "Inkurajoni prindërit, aktivizoni ushqyerjen me gji", OBSH po punon me UNICEF dhe partnerë të tjerë për të hedhur dritë mbi rëndësinë e politikave familjare, të cilat mundësojnë ushqyerjen me gji dhe ndihmojnë prindërit të ushqejnë fëmijët e tyre. Të dy organizatat u bënë thirrje qeverive dhe punëdhënësve që të miratojnë politika miqësore ndaj familjes, përfshirë pushimin e lehonisë për një minimum prej 18 javësh, si dhe lejen e paguar të nënave, thuhet në deklaratë.

OBSH gjithashtu bëri thirrje për "investime më të mëdha në programet gjithëpërfshirëse të ushqyerjes me gji" dhe "përfundimi i promovimit të zëvendësuesve të qumështit të gjirit”.
"Rritja e ushqyerjes me gji në nivele gati-universale mund të shpëtojë më shumë se 800 000 jetë çdo vit, shumica janë fëmijë nën 6 muaj," tha organizata, duke shtuar se rritja e ushqyerjes me gji mund të shmangë 20,000 vdekje të nënave çdo vit për shkak të kancerit të gjirit. Përfitimet e ushqyerjes me gji përfshijnë "uljen e rrezikut të nënave që zhvillojnë kancer të gjirit, kancerin e vezoreve, diabetin tip 2 dhe sëmundjet e zemrës", thuhet gjithashtu në deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë