Lojëra me Dore

US Open/ Zverev dhuron spektakël, sfidon Thiem në finale

Finalja e parë e një turneu “Slam” për gjermanin Aleksander Zverev, i cili ka dhuruar spektakël, duke mundur me përmbysje në 5 sete Karreno Busta në gjysmëfinale. Për titullin e turneut amerikan ai do të sfidojë në finale austriakun Thiem që mundi në 3 sete Medvedevin.

Kampioni i 150-të i “US Open” do të jetë njëri mes Aleksander Zverev dhe Dominik Thiem. Zverev ka bërë një ndeshje të madhe në gjysmëfinale, ku po humbiste 0-2 ndaj Pablo Karreno Busta, por përmbysi gjithçka në 3-2. Rezultatet e seteve janë 3-6, 2-6, 6-3, 6-4 dhe 6-3. Gjermani shfaqi të gjithë potencialin e tij. Sapo largoi frikën e humbjes, ai dominoi tre setet e fundit dhe për Karreno Busta nuk kishte shanse, edhe pse spanjolli ishte në avantazhin e dy seteve.

Zgjimi i Zverevit erdhi në gejmin e katërt të setit të tretë, kur ai filloi të shërbente më mirë dhe të gabonte më pak, duke u ndjerë i relaksuar. Karreno Busta e uli pak ritmin, duke bërë gabime të pafalshme dhe më pas nuk arriti të merrte më veten. Spanjolli anuloi “match point”-in e parë të ndeshjes, por kapitulloi në të dytin. Ndeshja zgjati 3 orë e 22 minuta.

Dominik Thiem gjatë ndeshjes ndaj Medvedev. Gazeta Si, 12 shtator 2020

Në gjysmëfinalen tjetër mjaftuan tre sete që Dominik Thiem të mbyllte llogaritë me Andrei Medvedev, në një formë të dobët. Superioriteti fizik i Thiem bëri diferencën në këtë ndeshje. Seti i parë u fitua nga austriaku 6-2 pas 35 minutash lojë. Në të dytin ai vuajti jo pak, por e mbylli 7-6, ashtu si dhe të tretin. Për Dominik Thiem, finalja e së dielës do të jetë e para në “US Open”, edhe e katërt në turnetë “Slam”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë