Lojëra me Dore

Us Open/ Shuhet ëndrra e italianit Berretini, Nadal në finale

Mateo Berretini kishte bërë gjithë Italinë të ëndërronte me paraqitjen e tij në Us Open. Ëndrra do të vazhdonte, nëse në gjysmëfinale nuk do të kishte takuar Rafael Nadalin. Spanjolli ka kaluar në finale pas fitores 3-0 (6-7, 4-6 dhe 1-6) ndaj Berretinit, i cili bëri përpjekjet maksimale dhe e bëri të vuajë jo pak tenistin e madh nga Majorka. Berretini është i pari tenist italian që shkon deri në gjysmëfinale të turneut amerikan, pas 42 vjetësh.

Ndeshja është luajtur me çati të mbyllur për shkak të uraganit që ka pushtuar Amerikën. Seti i parë ishte mjaft i ekuilibruar gjatë gjithë kohës. Italiani kishte shansin për të shkuar në 5-3 me gejme, por Nadal barazoi në 4-4. Luftë e fortë në gejmin e 9-të, që u fitua nga spanjolli, por më pas kanë ardhur edhe dy barazime të tjera, 5-5 dhe 6-6. Rafael Nadal është surprizuar, pasi ndoshta nuk e priste këtë rezistencë kaq të fortë të Berretinit. Gejmi final ishte po ashtu shumë i baraspeshuar dhe ngjante si një “mundje dore”. Spanjolli nuk gaboi dhe fitoi setin e parë. Edhe seti i dytë vazhdoi kështu dhe italiani shkoi deri në 3-2 me gejme, por më pas ndjeu lodhjen dhe Nadal nuk e fali, duke e fituar setin 6-4 dhe rezultati shkoi 2-0 për spanjollin. Në setin e tretë, energjitë fizike dhe mendore të Berretinit shteruan dhe spanjolli i mbylli shpejt e shpejt llogaritë, 6-1.

Tenisti italian, Mateo Berretini, gjatë gjysmëfinales së Us Open ndaj Nadal. Gazeta Si, 7 shtator 2019

Fitore 3-0 e Nadalit, por me shumë mundim. Mateo Berretini ia ka bërë vërtet “malore” dhe në fund italiani ka marrë vlerësime maksimale nga tenisti spanjoll. Në finale të Us Open, Rafael Nadal do të ndeshet me rusin Danil Medvedev, që eliminoi në gjysmëfinalen tjetër bullgarin Dimitrov. Tenisti nga Majorka është favorit për fitimin e turneut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë