Analize

‘Urrejtja’ për Perëndimin dhe historia po rrisin ndikim rus në Afrikë

Nga Gazeta 'SI' - Mosrespektimi i sanksioneve ndaj Rusisë nga Afrika e Jugut ka sjellë një përplasje midis zyrtarëve të saj dhe sekretares së Thesarit në SHBA, Janet Yellen.

Yellen vizitoi gjatë javës së shkuar vendet afrikane dhe presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, pas shqetësimeve të Amerikës se qeveritë afrikano-jugore po përforcojnë lidhjet me Moskën.

Në dhjetor, një anije tregtare ruse, të cilën Shtetet e Bashkuara e patën sanksionuar për rolin e pretenduar të pronarëve të saj në furnizimin me armë për Kremlinin, u pa duke shpërndarë dhe ngarkuar mallra në një bazë të marinës së Afrikës së Jugut. Zyrtarët amerikanë kanë kritikuar gjithashtu planet e ushtrisë së Afrikës së Jugut për të mbajtur një stërvitje të përbashkët detare me Rusinë dhe Kinën gjatë përvjetorit të pushtimit të Ukrainës muajin e ardhshëm.

Yellen tha të premten se ajo u kishte kërkuar zyrtarëve të Afrikës së Jugut që të respektonin sanksionet e SHBA në takimet e saj, një mesazh që ajo tha se e dha edhe në Zambia dhe Senegal.

“Ne do të përgjigjemi shpejt dhe ashpër ndaj atyre që dhunojnë sanksionet”, - tha Yellen, ndonëse nuk pranoi të përmendte raste specifike.

Historiku i miqësisë së Afrikës së Jugut me Rusinë ka nisur me kohën e aparteidit kur ish-Bashkimi Sovjetik mbështeti Afrikën e Jugut dhe partinë e Kongresit Kombëtar Afrikan në betejat e tyre çlirimtare. "Ato favore nuk janë harruar," - tha Remi Adekoya, pedagoge e asociuar në Universitetin e Jorkut në Angli.

Por kjo marrëdhënie u përforcua me pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Ish-presidenti afrikano-jugor, Jacob Zuma tha pak ditë pas nisjes së luftës se Rusia ishte provokuar dhe se NATO i shkoi vetë në derë me forcat e armatosura.

Presidenti aktual, Cyril Ramaphosa, që kur erdhi në pushtet sqaroi se kurrsesi nuk do të jetë armik me Vladimir Putin dhe pak ditë më parë fajësoi NATO-n për luftën.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin

“Lufta mund të ishte shmangur nëse NATO-ja do t'i kishte vënë veshin paralajmërimeve nga udhëheqësit dhe zyrtarët e saj gjatë viteve se zgjerimi i saj drejt lindjes do të çonte në paqëndrueshmëri më të madhe, jo më pak në rajon” - tha Ramaphosa në parlament të enjten e shkuar.

Afrika e Jugut ishte një nga 17 vendet afrikane që abstenuan në rezolutën e OKB-së që kërkonte që Rusia të tërhiqej menjëherë nga Ukraina më 2 mars. Ajo mbajti një qëndrim të ngjashëm gjatë aneksimit të Krimesë nga Putin në 2014.

BRICS – grupimi i fuqive më të mëdha në zhvillim

E quajtur fillimisht BRIC, me inicialet e vendeve, Brazil, Rusi, Indi dhe Kinë, (S-ja u shtua kur hyri Afrika e Jugut, South Africa në 2011-n) u bë një grupim global ekonomik dhe sidomos ushtarak me ndikim. Rusia qëndron në zemër të kësaj aleance dhe siguron në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, mbështetje nga këto vende.

Gjithsesi, strategjia e Moskës për të forcuar lidhjet me Afrikën e Jugut është plotësisht politike. Vendet e Afrikës së Jugut janë të varura nga eksportet me SHBA-në e Europën dhe jo me Rusinë (deri tani).

Rusia eksporton atje vetëm armë, eksportuesi më i madh. Sipas rishikimit vjetor nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm, eksportet e armëve në Afrikë përbënin 18% të të gjitha eksporteve ruse midis 2016 - 2020.

Të hënën e shkuar, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, nisi një vizitë disa ditore në Afrikë të Jugut, lidhur me stërvitjen detare që do të mbahet, ku njoftoi se vendet e BRICS po konsiderojnë tani përdorimin e një monedhe të përbashkët.

Homologia e tij i Afrikës së Jugut, Naledi Pandor hodhi poshtë kritikat për hezitimin e qeverisë së saj për të dënuar pushtimin rus të Ukrainës dhe përsëriti thirrjet për negociata për t'i dhënë fund luftës. Ajo tha se stërvitja e planifikuar detare ishte pjesë e "forcës natyrore të marrëdhënieve" midis vendeve mike.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe ministrja e Jashtme afrikano-jugore, Naledi Pandor

Pandor vlerësoi gjithashtu "marrëdhëniet dypalëshe ekonomike në rritje" midis Pretoria dhe Moskës, së bashku me "bashkëpunimin politik, ekonomik, social, të mbrojtjes dhe të sigurisë".

Më herët, vetë Ramaphosa ka shkruar për qasjen e tij për të qenë një ndërmjetës në konflikt duke pasur parasysh anëtarësimin e saj në BRICS.

“Lidershipi i të fortëve”

Shumica e vendeve që mbështesin Rusinë janë regjime autoritare. Ata e shohin vendimin e Putin për të pushtuar Ukrainë si një shfaqje e fuqisë dhe egos që ata vlerësojnë fort dhe gjejnë veten.

Një nga ata që ka folur në mënyrë të dukshme në mbështetje të liderit rus është gjenerali Muhoozi Kainerugaba, djali me ndikim i presidentit të Ugandës, Yoweri Museveni. Babai i tij ka qeverisur Ugandën me një dorë të hekurt për 36 vjet dhe ka pasur spekulime se Kainerugaba është një pasardhës i mundshëm kur 78-vjeçari Museveni përfundimisht të largohet. Kainerugaba shkroi në Twitter se: “Shumica e njerëzimit (që janë jo të bardhë) mbështesin qëndrimin e Rusisë në Ukrainë. Putin ka absolutisht të drejtë!”

Disa vende afrikane gjithashtu kanë hezituar të flasin kundër Rusisë, sepse ata duan të "mbajnë opsionet e tyre të hapura nëse përballen me kërcënime ekzistenciale ose një lloj revolucioni në vendin e tyre në të ardhmen", tha Adekoya.

“Ata e panë Putinin të mbante Assadin në pushtet në Siri, sepse pa ndërhyrjen e Rusisë, regjimi i Asadit do të kishte rënë shumë kohë më parë”, shtoi ai.

Adekoya theksoi gjithashtu se disa nga reagimet e heshtura burojnë nga ajo që perceptohet si hipokrizi perëndimore.

Liderët e BRICS në takim

Ndryshe nga shumë vende europiane, Rusia nuk ka krijuar koloni në Afrikë dhe kështu ka një hapësirë ​​më të gjerë mundësish për të ndikuar atje me politika që synojnë të sfidojnë dominimin perëndimor në kontinent.

Bashkimi Sovjetik gjithashtu kishte marrëdhënie të mirë me shumë shtete afrikane gjatë Luftës së Ftohtë, dhe Moska ka kërkuar të ringjallë disa nga ato lidhje. Ajo shiko një rritje të fuqisë së saj në hemisferën jugore të globit, ndonëse vetë, paradoksalisht ndodhet në veri. Rusia i ofro këtyre vendeve një mundësi për t’u larguar nga prindërimi i Perëndimit dhe nga hipokrizia e tyre.

Megjithatë, Afrika ka qenë shpesh në qendër të sherreve për pushtet në garat e fuqive të mëdha midis lojtarëve kryesorë gjeopolitikë si SHBA, Kinë dhe Rusi.

Disa vende po përpiqen të përdorin këtë pozicion në mënyra të ndryshme.

Odugbesan-Omede, profesore e marrëdhënieve të jashtme, shpjegoi se Tanzania, për shembull, e ka shfrytëzuar situatën aktuale si një shans për të përfituar në industrinë e saj të energjisë. “Presidentja e Tanzanisë, Samia Suluhu Hassan, e sheh këtë një mundësi për të kërkuar tregje për të eksportuar gaz,” tha ajo. “Tanzania ka rezervën e gjashtë më të madhe të gazit në Afrikë. Ndërsa disa vende afrikane do të përballojnë një tronditje ekonomike nga lufta ruso-ukrainase, të tjera po përpiqen t'i bëjnë ballë stuhisë duke kërkuar rrugë të reja përfitimi,"- shtoi Odugbesan-Omede.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë