Ngjarje

Urithët mund të pengojnë një ndeshje të Champions League

Mund të duket pak e çuditshme, por është e vërtetë, pasi brejtësit mund të rrezikojnë një ndeshje të Champions League. Ngjarja ka ndodhur në stadiumin “Metalist” në Ukrainë, aty ku pritet të luhet ndeshja Shakhtar Donetsk – Hoffenheim. Do të jetë sfida e parë në Ligën e Kampionëve për këtë edicion.

Dëmtimi i fushës u vu re nga punëtoret e fushë gjatë ditës së enjte, vetëm pesë ditë para ndeshjes. Ata vunë re disa masa dheu mbi bar që ishin krijuar nga urithët, të cilët kishin gërmuar në nëntokën e fushës.

Dëmet ishin të mëdha, pasi përveç sipërfaqes ishin krijuar probleme edhe nën sipërfaqen e fushës, çka mund të rrezikonte realisht zhvillimin e ndeshjes në këtë impiant. Por një komunikim i klubit Ukrainas ka sqaruar gjithçka, duke thënë  se fenomeni ishte kapur në kohë dhe se fusha do të jetë gati për ndeshjen e Uefa Champions League. Por gjithsesi ende nuk është e sigurt nëse stadiumi do të jetë gati dhe një gjë e tillë do të merret vesh vetëm, pasi Uefa të jap certifikimin e saj. Shakhtar Donetsk në Champions League përveç Hoffenheim, është në grup edhe me Ajax dhe AEK.

Shakhtar Donetsk i luan ndeshjet në stadiumin “Metalist Khrakiv” për shkak se stadiumi i saj “Donbas Arena” është në zonën e pushtuar nga Rusia në lindje të Ukrainës.

Më herët një problem i madh i shkaktuar nga brejtësit apo insektet kishte ndodhur në stadiumin e ekipit spanjoll Valladolid, “Nuevo Jose Zorilla” në ndeshjen kundër Barcelonës. Por edhe në kampionatin tonë ka ndodhur një ngjarje e tillë në stadiumin e Vlorës, në sfidën Flamurtari – Kukësi, ku fusha ishte e dëmtuar nga insektet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë