Shendet

Urdhri i ri në Spitalin Infektiv: Nuk lejohen më ushqimet nga jashtë për pacientët

Rreth një vit pas nisjes së pandemisë në vendin tonë, sot familjarëve të pacientëve në Spitalin "Covid 1" i’u është komunikuar se nuk do të lejohet më futja e ushqimeve për afërmit e tyre të shtruar.
Sipas urdhrit, të afërmit do të lejohen t’u dërgojnë familjarëve vetëm sende personale.

Kjo masë vjen pas skandalit që doli në media me sanitaren te spitali Covid 2 “Shefqet Ndroqi” e cila u akuzua nga familjarja e një pacienteje se i kishte marrë 8 milion lekë, pas së cilës u arrestuan edhe 3 infermiere dhe 1 tjetër sanitare.
Ndërkaq gjatë konferencës së Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, kjo e fundit tha se shteti dhe sistemi shëndetësor mund ta ofrojë çdo shërbim pacientëve.


“Të gjitha spitalet në vend ofrojnë ushqimin, një pjesë ofrohen përmes kateringut, përmes një kontrate, si Covid2. Një pjesë tjetër e bëjnë mes stafeve të tyre. Ende s’kanë kontratë me të tretë. Covid-2, Infektivi e me radhë. Ishte një vendimmarrje e strukturave të spitaleve që të lejonin një kanal komunikimi me familjarë, ushqim e ndërresa. Rregulli i përgjithshëm para pandemisë, është që nuk lejohen ushqime nga jashtë. Në spital merr dieta të caktuara kalorike. Është vendosur nga vetë mjekët dhe pandemia ka krijuar edhe një lloj gjendjeje jo të mirë emocionale. Kjo ishte një mënyrë për të qenë afër familjarit. Jo se spitali e shteti nuk i garanton, por sepse ka qenë një kërkesë e familjarëve që është pranuar,” argumentoi nga ana e saj Ministrja.


Në 7 janar u raportua se në Spitalin Infektiv ishte krijuar një “korridor” i posaçëm për familjarët të cilët dorëzonin ushqime ose veshje për pacientët në këtë spital, ndërkohë që më parë futeshin përmes qendrës së konsultave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë