Drejtësia

Urdhër arresti nga SPAK për Dakon dhe 9 zyrtarë, vetëdorëzohet ish-kryebashkiaku i Durrësit

Gazeta Si - SPAK ka lëshuar sot një urdhër arresti me burg për Vangjush Dakon, ish-kryebashkiakun e Durrësit dhe 9 ish-zyrtarë të tjerë të këtij institucioni, të dyshuar për shpërdorim detyre. SPAK shkoi në qytetin e Durrësit, por Dako ishte në Tiranë dhe mësohet se është vetëdorëzuar në Drejtorinë e Policisë në kryeqytet.

Nga SPAK janë lëshuar gjithësej 10 masa arresti me burg për ish-punonjësit e Bashkisë së Durrësit. Bëhet fjalë për ish-zyrtarë të urbanistikës në Bashkinë e Durrësit, që dyshohen për korrupsion në lidhje me një nga pallatet e dëmtuar nga tërmeti, ku nuk u zbatua leja e ndërtimit.

Urdhër arresti është lëshuar për Vangjush Dakon, ish-kryebashkiaku i Durrësit, Adlei Likmeta, arkitekt i bashkisë, Roza Kovaçi, Edlira Kertusha, juriste tek Urbanistika, Adnand Toçila, Adhurim Qehajaj ish-drejtori i Urbanistikës, Fiqiri Farruku, ndërtuesi i pallatit.

Vangjush Dako

Pritet që në orët në vijim SPAK të japë një informacion më të detajuar në lidhje me këtë çështje. Nga 10 urdhër arrestet e SPAK-ut që po zbatohen aktualisht, 7 janë arrest me burg dhe tre arrest shtëpie. Vetëm katër ditë më parë Vangjush Dako u thirr në SPAK, ku u pyet për rreth katër orë.

Pallati ne Durres, per te cilin akuzohet Dako. Gazeta Si, 6 qershor 2023

Ka dy akuza për pallatin, për të cilin akuzohet Dako. Hetimet për rastin e dytë kanë të bëjnë me një tender, ku bashkia e Durrësit ka blerë një projekt për zhvillimin e vijës bregdetare, duke e rritur me dhjetëfish vlerën reale të tij dhe duke i shkaktuar një dëm ekonomik buxhetit të shtetit prej 180 milionë lekësh.

Faksimile e padise per Dakon dhe zyrtaret e tjere. Gazeta Si, 6 qershor 2023

Edhe Sako mes të kallëzuarve

Kallëzimi është bërë nga banorët e pallatit të dëmtuar në Durrës nga tërmeti i vitit 2019. Përveç shpërdorimit të detyrës dhe ndërtimit pa leje, ata e akuzojnë ish-kryebashkiakun Vangjush Dakon dhe zyrtarët e tjerë edhe për vrasje në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë.

Në dokumentin e firmosur nga më shumë se 15 banorë vihet re se mes personave të kallëzuar është dhe emri i kryebashkiakes aktuale të Durrësit, Emiriana Sako.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë