Nga Gazeta Si- Më 21 qershor universitetet zgjodhën rektorët, dekanët dhe anëtarët e senatit. Ndërkohë që në shumicën e universiteteve u rizgjodhën rektorët për një mandat të dytë, në Universitetin e Shkodrës u zgjodh Tonin Gjuraj, duke fituar kundër rektores aktuale Rajmonda Këçira.
Gjuraj ka fituar me një diferencë prej 1 për qind (47% Gjuraj, 46% Këçira), fitore që është zyrtarizuar nga KIZ (Komisioni Institucional i Zgjedhjeve) por ende nuk ka firmosur vendimin, duke lënë kështu drejtuese rektoren në detyrë, Këçirën.
Kandidati fitues i zgjedhjeve për rektor, Tonin Gjuraj, në një intervistë për media ka folur rreth kësaj sjelljeje që sipas tij është një absurditet dhe se ky rezultat po mbahet peng nga anëtarët e këtij komisioni. Ai ka deklaruar se në Universitetin e Shkodrës ka makinacione dhe grupe që duan të mbajnë peng këtë rezultat.
KIZ ka miratuar tabelat përmbledhëse të rezultateve të zgjedhjeve për Rektor në Universitetin e Shkodrës me votat e pedagogëve dhe të studentëve, por nuk ka shpallur vendimin duke iu referuar afatit dy ditor që kandidatët kanë për ankimim.
“Ka shkelje proceduriale. Janë përpjekje për të mbajtur peng universitetin. Nuk mund të rrëzohet një fitore cilësore. Ndryshe nga gjithë universitetet e tjera, në universitetin tonë nuk ka një rektor. Është një rezistencë nga grupet që kanë uzurpuar këtë institucion”, thotë Gjuraj, i cili shton se vetë anëtarët e komisioneve të universiteteve kanë firmosur procesverbalet e votave dhe tashmë është KIZ që nuk pranon të dalë me një vendim.
Gjuraj thotë se nuk ka një përgjigje apo një reagim të KIZ se përse po vonohet vendimi, ndërkohë që e vetmja gjë që është thënë është se duhet të pritet 2 ditë nëse do të ketë ankimim të zgjedhjeve, diçka që nuk mund të ndodhë për aq kohë sa nuk ka një vendim.
Për situatën e krijuar ka reaguar edhe kandidatja Rajmonda Këçira që kërkon mandatin e dytë si rektore, e cila nuk pranon humbjen, duke thënë se votimet e 21 qershorit dhanë një rezultat pa fitues pasi asnjëri prej kandidatëve nuk ka arritur të sigurojë shumicën e votave të vlefshme.
“Votimet për rektor të datës 21 qershor dhanë një rezultat pa fitues. Rezultati i zgjedhjeve nuk i mundëson, pavarësisht dëshirave apo pritshmërive, asnjërit kandidat për të deklaruar fitore, aq më pak të “jashtëzakonshme” dhe “cilësore”. Diferenca mes meje dhe kandidatit Gjuraj është vetëm 1%. Ndaj i bëj thirrje kandidatit Gjuraj të presim me qetësi zbatimin e procedurave që parashikon Rregullorja e zgjedhjeve, pa ushtruar presion mbi Komisionin institucional të zgjedhjeve”, thotë Këçira e cila shton se pika 11 e nenit 4 të Rregullores së zgjedhjeve kërkon që kandidati fitues të këtë siguruar shumicën e votave të vlefshme.
Por, sipas rregullores, shpallet i zgjedhur në postin e një autoriteti drejtues kandidati që fiton numrin më të madh të votave të vlefshme.
Në zgjedhjet që u zhvilluan në Universitetet e vendit, gara në Shkodër ishte më e forta. Nga numërimi i votave, rezultoi se Gjuraj kishte grumbulluar 93 vota, ndërsa Këçira tre vota më pak, 90.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.