Nga Gazeta Si- Në Shqipëri, Universitet apo kolegjet profesionale janë akoma shumë larg modelit të Universiteteve 4.0, ndërkohë që në shumicën dërrmuese të tyre mbizotërojnë format dhe modelet klasike të organizimit dhe funksionimit me elemente të modeleve 2.0 dhe 3.0.
Në një raport monitorim të PROF. DR. Adrian Civici, të prezantuar në Akademinë e Shkencave, thuhet se nuk ka asnjë universitet apo struktura të veçanta të tij që të jenë tipikisht në përputhje me zhvillimet dhe kërkesat e universiteteve 4.0.
Çfarë janë Universitetet 4.0?
Ndërkohë që ne kemi ende modelet klasike të universiteteve si modelet akademike, ku futen universitetet liberale dhe shkencore, modelet utilitare (universitetet e shërbimit publik dhe universitetet e biznesit), modeli anglo-sakson, tradicional kontinental europian, në botë po synohet transformimi radikal drejt universiteteve 4.0.

“Tashmë ka filluar kristalizimi i një koncepti të ri universiteti, që shihet si një instrument i kuptimit të reflektimeve që kanë të bëjnë me revolucionin 4.0 dhe 5.0 (big data, revolucionin digjital, AI gjenerative e të përgjithshme, start up-et robotikën etj) të cilat kanë efekte të jashtëzakonshme për ekonominë, punësimin, shëndetin, mjedisin, bujqësinë, ushqimin, sigurinë dhe gjithë shoqërinë e sotme e të ardhme”, thotë Civici, duke shtuar se universiteti 4.0 është një epokë në të cilën hierarkitë tradicionale të statusit të universitetit do të sfidohen.


Civici thotë se sot digjitalizimi po ndryshon gjithçka dhe ne po dëshmojmë revolucione të mëdha në arsim që po ndryshojnë ndërveprimin midis aktorëve të ndryshëm.

Por, në përgjithësi, në Shqipëri mungojnë njohuritë e duhura dhe njohja e përvojave të përpunuara në këtë drejtim si nga drejtuesit e universiteteve, pedagogët, studentët dhe administratat e universiteteve.
“Mungojnë debatet, analizat dhe diskutimet publike për këtë model universiteti. Gjithashtu mungojnë edhe politikat specifike të dedikuara për transformimin e universiteteve shqiptare sipas modelit 4.0”, thotë Civici.
Ai shpjegon se kjo situatë po ndikon në performancën dhe përfitimet nga bashkëpunimi ndërkombëtar e procesi i ndërkombëtarizimit të universiteteve shqiptare.
Në rajon, është vetëm universiteti i biznesit në Prishtinë i cili është i organizuar në logjikën e universiteteve 4.0 dhe është model në të gjithë Europën juglindore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.