Ngjarje

UNICEF: Qeveria dhe mediat harruan të mbrojnë fëmijët e abuzuar

UNICEF, organizata kryesore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në një deklaratë për shtyp ka theksuar dështimin e autoriteteve shtetërore në trajtimin dhe mbulimin e çështjeve të ndryshme që ndodhin me fëmijët në Shqipëri.
Pas ngjarjeve të fundit për përdhunimin e një vajzë të vogël në qytetin e Kavajës, UNICEF ka shprehur shqetësim për mënyrën se si trajtohen këto çështje në vend. “Mbulimi mediatik është padyshim një pjesë e domosdoshme e luftës për të parandaluar abuzimin seksual të fëmijëve, megjithatë publikimi jo i domosdoshëm, i ndjeshëm dhe i bujshëm mund të shkaktojë më shumë trauma për të mbijetuarit tashmë të shkatërruar nga abuzimi,” thuhet në deklaratë.

Për sa i përket rastit të miturës në Kavajë në deklaratë thuhet se abuzimi nisi që prej qeverisë, kur dërgoi ministren Spiropali dhe një kamer nga televizioni  ERTV për të intervistuar familjen, duke identifikuar prindërit dhe si rezultat duke ekspozuar identitetin e viktimës së mitur në qytetin ku jeton. Më pas video u bë virale në të gjitha mediat. Kjo ishte një shkelje e qartë e të drejtës së saj për privatësi dhe dinjitet.

UNICEF-i u shpreh se gazetarët në radhë të parë duhet të kujdesen për respektimin e privatësisë, dinjitetit, mirëqenies mendore dhe fizike i fëmijës dhe duhet ta vendosin atë mbi të gjitha motivet dhe drejtimin që përcakton qëndrimin e tyre profesional apo personal. Kjo gjë është e përcaktuar edhe në Konventën e Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.
Ashtu si me çdo rast të abuzimeve seksuale, dhunës në familje ose vrasjes se femrave në Shqipëri, shtypi shpesh përmend viktimën me qëllim sensibilizimin. Por kjo sjell një efekt të kundërt, ku vëmendja shkëputet nga krimi, por ngrihen aludime të shumta për personalitetin e personit.
Në deklaratë gjithashtu u tha se, edhe etika e gazetarisë injorohet në mënyrë të përsëritur duke shkelur kështu në mënyrë të vazhdueshme të drejtat e njeriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë