Irena Beqiraj

Unë nuk dua të ulësh taksat z.Basha


Kur zoti Basha të më ulë taksat, do të zgjedh një shkollë private edhe më të mirë për vajzën edhe sa herë të kem një dhimbje koke, do të marr avionin dhe do të shkoj në Austri për vizitë mjekësore.

Por unë nuk dua të më ulësh taksat zoti Basha, dua që qeveria shqiptare të financojë arsimin parauniversitar që të mos jemi të fundit në rajon. Serbia harxhon 11.2% të GDP per capita, për një nxënës në arsimin parauniversitar dhe Shqipëria vetëm 8% të PPB per capita… Më premto që do të financosh arsimin parauniversitar duke e çuar të paktën sa Serbia e afërt.

Sot shpenzimet për shëndetësinë kapin vlerën 870 milionë eurove dhe 57% të tyre shqiptarët i paguajnë nga xhepat, sepse shteti mbulon vetëm 43% të tyre. Në Evropë qytetarët paguajnë vetëm 16% të shpenzimeve privatisht.

Mos më ul taksën zoti Basha, por na bëj të ndihemi evropianë duke financuar me taksat e mia shërbimin shëndetësor. Nëse ti më ul taksën mua, unë do të kem mundësi ta blej shërbimin më të mirë shëndetësor, biles jashtë vendit. Por nuk ndihem e shëndetshme kur të shoh fytyrën e zbehtë të fqinjes ime që nuk mund të marrë shërbim.

Mos më ul taksën zoti Basha, përkundrazi ngrije atë dhe rrit pensionin e nënës sime. Që të mos ndihet keq sa herë që i duhet të ngrejë telefonin e të më thotë që ilaçet i kanë mbaruar. Dua të ndihet mirë e t’i blejë vetë ato.

Mos lufto oligarkinë zoti Basha, biles hiqe fjalën “luftë” nga fjalori, taksoje oligarkinë. Takso progresivisht pasurinë (shtëpinë e dytë edhe të tretë) dhe jo të ardhurat nga puna.

Mos u jep shqiptarëve të zënë nën thundrën e padijes, gënjeshtra të dobishme që qetësojnë si morfinë dhimbjet e paditurisë. Se për këdo që mendohet pak më gjatë e kupton që nuk mund të ketë ulje të përkohshme për diçka që nga natyra është e përhershme.

Se nuk janë më bizneset e 30 viteve më parë. Bizneset e dinë që nuk i ka penguar taksa që të rriten, por e kanë penguar monopolet, të cilat kemi 30 vite që i mbrojmë me ligje, siç mbrojmë hegjemoninë e liderëve të përjetshëm. Nuk janë taksat që rrisin shtresën e mesme, por punët e mira dhe cilësore që vijnë prej dijes.

Nëse ndonjë ditë bëhesh Kryeministër mos ma ul taksën, por përpiqu që Shqipëria të jetë një vend më i mirë edhe i drejtë për të jetuar. Me taksat e ulëta kam blerë veshje të bukura, kam blerë shkolla private për fëmijët e mi, kam blerë shërbim shëndetësor, por nuk kam blerë dot një nam më të mirë për Shqipërinë, nga emri i së cilës nuk divorcohem dot.

Mos ma ul taksën sepse nuk dua të dëgjoj më vajzën time që, edhe pse rritet mes të mirash, të thotë: “Nuk dua të jetoj më në këtë vend”.


Komente