Nga Gazeta ‘SI’ – Raporte kombëtare dhe ndërkombëtare kanë treguar se Shqipëria nuk është një nga destinacionet e preferuara për të investuar dhe kjo jo për shkak të taksave. Edhe pse qeveria ka tentuar të ndryshojë këtë realitet, nuk ka goditur në shenjë.
Një draft i qeverisë mbi faljen e taksave për investimet strategjike, me qëllim tërheqjen e tyre rihapi debatin për “recetën” që duhet të gatuajë Shqipëria për të ndjellë investitorët e huaj. Ndryshe nga se argumentoi deputeti socialist Blendi Klosi, barra fiskale nuk është muri që bllokon investimet e huaja në vend. Gjetjet nga raportet konkludojnë se bizneset e huaja kërkojnë të investojnë në vende pa korrupsion dhe jo vende pa taksa.
“Korrupsion, korrupsion, korrupsion”
Raporti më i rëndësishëm i vlerësimit të klimës së biznesit në Shqipëri, ai i DASH, e përshkruan vendin tonë si një habitat të vështirë për të bërë biznes ku korrupsioni në administratë e gjyqësor është problemi kryesor.
“Raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Investitorët raportojnë shpesh raste të korrupsionit qeveritar që vonon dhe parandalon investimet në Shqipëri”, thuhet në raportin e DASH, ku theksohet se problemet me të drejtën e pronësisë janë po ashtu një pengesë për investimet.
“Ka pasur raste të individëve që dyshohet se kanë manipuluar sistemin gjyqësor për të marrë në mënyrë të paligjshme një titull për pronësinë e tokës. Mbivendosja e titujve të pronësisë është një çështje serioze dhe e zakonshme. Procesi i kompensimit për tokat e konfiskuara nga ish regjimi komunist vazhdon të jetë i vështirë, joefikas dhe i pamjaftueshëm”, shkruhet në raport.
Për investitorët e huaj ngërç është edhe ndryshimi i shpeshtë i regjimit fiskal në Shqipëri, por jo normat e tatimit.
Në vjeshtën e 2024-s, FIAA, Shoqata e investitorëve të huaj në Shqipëri, përfshirë ato nga BE, Turqia, Kina etj publikoi gjetjet e anketës “doing business”, ku konkurrenca e shtrembëruar dhe tregjet monopolistike janë problemet kryesore, sipas 71% të të anketuarve, ndjekur nga burokracia dhe korrupsioni.
55% e investitorëve raportuan si çështje problematike ndryshimet e shpeshta të taksave dhe 51% e tyre paqartësitë mbi regjimin fiskal.

Indeksi i Dhomës Amerikane renditi se mungesa e fuqisë punëtore dhe konkurrenca e padrejtë janë shqetësimet kryesore të bizneseve që duan të investojnë apo kanë investuar në Shqipëri.
Raporti i fundit i “Doing Business” nga Banka Botërore që i përket vitit 2020, e rendit Shqipërinë në fund të rajonit, me një pikëzim 67. 7 pikë.

Sipas indeksit të matur nga Transparency.org, për vitin 2024 Shqipëria ka një pikëzim prej 37 pikësh nga 100, ku pikët më të ulëta tregojnë një perceptim më të lartë të korrupsionit. Për vitin 2023, Shqipëria mban vendin e 98 nga 180 vende në analizë.
Edhe Matjet e Barometrit të Sigurisë 2024, treguan një rritje të perceptimit publik se korrupsioni është kërcënimi më serioz për sigurinë e Shqipërisë.

Kundër përjashtimeve
Autoritetet ndërkombëtare nuk janë “fansa” të përjashtimeve tatimore. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kritikuar vazhdimisht Shqipërinë për përjashtimet fiskale që bën, që po dobëson efikasitetin e taksave dhe ka krijuar një mjedis të vështirë për biznesin.
Një qëndrim të ngjashëm e kishin dhe ekonomistët e Bankës Botërore, të cilët theksuan se përjashtimet tatimore sjellin më shumë kosto se përfitime. Ajo përllogarit se për çdo 10 pikë përqindje stimul tatimor, të ardhurat nga taksat e korporatave bien me 0.35% të PBB-së. Përjashtimet tatimore për firmat e huaja thotë Banka, zakonisht redukton tatimin edhe për firmat ekzistuese në vend dhe gërryen të gjithë bazën tatimore të korporatave.
“Politikëbërësit janë të shtyrë për të tejkaluar fqinjët e tyre rajonalin e tyre fqinjët duke ofruar më shumë lëshime bujare, të cilat mund të motivojnë konkurrencën jo të shëndetshme. Nga perspektiva e qeverive, përjashtimet e taksave mund të imponojnë humbje të konsiderueshme fiskale nëse stimujt nuk janë konceptuar dhe zbatuar në mënyrë strategjike. Kostot janë më të rëndat për vendet me të ardhura më të ulëta, të cilat tashmë janë duke luftuar mobilizimin e të ardhurave dhe ku stimujt tatimorë priren për të qenë më pak ndikues në tërheqjen e investimeve”, analizon Banka Botërore.
Rasti i Gjeorgjisë
Kompania amerikane e konsulencës “Atlantic Council” analizon tranzicionin e Gjeorgjisë, duke e quajtur një rast suksesi dhe tashmë qëndron në vendin e 7 në botë, për klimën e mirë të biznesit. Analiza thekson se Gjeorgjia arriti të jetë një shembull i lirisë ekonomike pas reformave të thella për të siguruar një mjedis konkurrent, duke zhdukur procedurat burokratike, duke lehtësuar sistemin fiskal dhe duke rregulluar problemet me të drejtën e pronës. Rezultatet e politikës “zero tolerancë ndaj korrupsionit” janë të dukshme në besimin e krijuar në sektorin publik dhe funksionarët e qeverisë. Raporti thekson se Gjeorgjia krijoi një mjedis favorizues për bizneset duket vendosur një taksë 20% për të ardhurat dhe 15% për fitimin e korporatave.
Sot, Gjeorgjia është një nga vendet më të thjeshta për të bërë biznes duke tërhequr kështu investime nga e gjithë bota.
I njëjti raport thekson se pika kryesore për të tërhequr investimet e huaja është siguria. Investitorët interesohen për sigurinë e investimit të tyre, përfshirë paqëndrueshmërinë politike, civile dhe konfliktet mbi pronën. Vendet me sistem ligjor të dobët dhe korrupsion të dukshëm, dështojnë në tërheqjen e investimeve të huaja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.