Pak ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda për Dritan Dajtin, ka reaguar kryeministri Rama. Kreu i qeverisë ka shfrytëzuar një takim me qytetarë dhe simpatizantë të PS në Rrëshen, ku mes problematikave të ndryshme, ka komentuar për herë të parë mbi këtë rast publikisht, të cilin e konsideron një vendim kriminal.
“Së pari, për sa i përket gjykimit të shkurtuar të atij vrasësit të katër policëve, nuk ka të bëjë me ligjin por me njerëz të ligj dhe të korruptuar, të cilët nuk janë vetëm ata por janë plot, për shkak se u ka ardhur fundi në sistemin e drejtësisë, për të vettingut po i bien me top. Jo vetëm po i bien me top por kryen një akt kriminal sepse faktikisht i rivranë 4 policët. Ne nuk do i ndahemi kësaj çështjeje dhe besoj se këtë vendim do e zhbëjmë. Besoj se këta gjykatës nuk do ia dalin të shpëtojnë kaq lehtë, – premtoi Rama. – Mua më ka ardhur tmerrësisht keq për atë që ka ndodhur, por nga ana tjetër këto janë gjëra që nuk më çudisin, sepse ne kemi ndërmarrë një reformë që është realisht një operacion i thellë për të pastruar kancerin nga gjithë organizmin e sistemit të drejtësisë. Ju keni parë se si vettingu po i largon një nga një gjithfarë hienash në atë system”.
Rama theksoi se qeveria dhe kryeministri nuk fusin njeri në burg apo të marrin vendime të tilla dhe për gjithçka ka ndodhur në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, akuzoi qeverisjen e PD.
“Ne jetojmë në një sistem ku kryeministri nuk fut njeri në burg, nuk është as prokuror dhe as gjykatës. Sa herë njerëzit dëshpërohen, thonë ik mor se dhe ti njësoj si këta je, se nuk i fute në burg. Ne jetojmë në një sistem ku kryeministri nuk fut njeri në burg, nuk është as prokuror as gjykatës, – shtoi Rama. – Qeveria nuk fut njeri në burg, në burg ë fut drejtësia. Duhet një drejtësi e drejtë. Drejtësinë e drejtë nuk e kemi pasur gjithë këto vite, sepse e kanë penguar gjykatës e prokurorë si këta dhe politikanë si ai zorzopi i Tiranës, që me paturpësinë më të madhe e bën vrasësin e 4 policëve si mikun tim”.
Kryeministri iu reeferua një raporti të ambasadës amerikane, që sipas tij tregon se Dritan Dajti ka qenë i lidhur me njerëz të afërt të Berishës në kohën kur ndodhi ngjarja.
“Ndërkohë që raportet e ambasadës amerikane, që u bënë publike, është e shkruar se vrasësi i 4 policëve është i lidhur me njeriun më të afërt të këtij zorzopit, Saliut. Ky është fakt. Historia është merre të vërtetën dhe ktheje përmbys dhe zien kazani çdo natë me gjithë çfarë shpifjesh dhe monstruozitetesh”, – vijoi ai.
Rama nënvizoi se drejtësia e re kërkoi kohën e vet, edhe pse po ecën me shpejtësi.
Sistemi që kemi zgjedhur është sistemi i duhur, por për të ndërtuar atë sistem me njerëz të së drejtës nuk është aq kollaj. Ne nuk mund të themi që e ka fajin demokracia pse këta budallenj, ia dalin të na bëjnë për budallenj deri në pikën që të shkelin mbi gjakun e policëve të vrarë. Sistemi ynë i zgjedhur është sistemi i duhur”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.