Ka ndodhur

Ulen temperaturat, dëbora e parë zbardh zonat malore në Korçë dhe Kukës (Foto)

Zonat malore në Qarkun e Korçës dhe të Kukësit janë përfshirë nga reshjet e para të dëborës këtë mëngjes, me temperaturat që kanë rënë në  3°. Reshje borë ka pasur në Malin e Gramozit në Kolonjë dhe në Mokër të Pogradecit.

Në Korçë ka pasur borë në fshatin Shtyllë dhe Panarit. Reshjet kanë qenë të lehta dhe nuk kanë shkaktuar probleme për qarkullimin e mjeteve.

Probleme të vogla mësohet të ketë pasur në disa fshatra të zonave malore sa i përket furnizimit me energji elektrike kryesisht në linjat e tensionit të ulët.

Prej mbrëmjes së djeshme temperaturat kanë pësuar ulje të ndjeshme edhe në Kukës, duke u shoqëruar me reshje shiu dhe erëra të forta në qytet dhe fshatrat përreth.

Zona e larta malore janë mbuluar nga mjegulla, ndërsa disa zona janë përfshirë nga reshjet e para të dëborës.

Nga mesnata e djeshme dëbora ka zbardhur Shishtavecin dhe malin e Gjallicës. Autoritetet shprehen se kanë marrë masa për të përballuar pasojat e motit të keq dhe uljen e temperaturave.

Reshjet e dëborës kanë përfshirë edhe verilindjen e vendit, konkretisht zonat malore të Kalasë së Dodës dhe Lurën. Deri më tani nuk raportohet probleme në rrugë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë