Analize

Ukraina kërkon të hyjë në NATO, Putin përgatitet për një “Krime” të re

Daullet e luftës duket se bien fuqishëm prej disa javësh në Ukrainë, mes raporteve që tregojnës se Rusia po përgatitet për një Krime të dytë. Në javët e fundit, 24 ukrainas kanë humbur jetën në zonën e Donbas, mes përplajes së ushtrisë ukrainase dhe asaj ruse.

Shumë ekspertë po parashikojnë një ringjallje të luftës së Ukrainës, e cila që nga viti 2014 ka marrë jetën e rreth 14,000 njerëzve dhe ka çuar në "gjymtimin" e vendit të Europës Lindore pas aneksimit të Krimesë.

E vërteta është se ato që kanë çuar në përshpejtimin e konfliktit janë faktorët politikë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky u zgjodh në krye të vendit në vitin 2019 në mbështetje të dialogut me Moskën për të gjetur një zgjidhje paqësore, por sot duket se po tërheq telat në drejtimin e kundërt.

Gjithçka nisi pasi Zelensky vendosi të kalonte një nga "vijat e kuqe" të Moskës, duke kërkuar anëtarësimin në NATO. “Kjo është mënyra e vetme për t'i dhënë fund luftës në Donbass," i tha presidenti Zelensky, Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës Veriatlantike Jens Stoltenberg, duke u kërkuar vendeve anëtare të mbështesin anëtarësimin e Ukrainës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy shtrëngon duart e një ushtari ndërsa viziton Ukrainën lindore, të enjten, 8 prill 2021

"Ne jemi mbështetës të fortë të Ukrainës, ne jemi në anën e tyre. Por ky është një vendim që duhet ta marrë NATO dhe jo SHBA-ja ", tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë. Ai shtoi, megjithatë, se pranimi në NATO ka qenë prej kohësh një synim i Kievit dhe se qeveria e Joe Biden po e konsideron seriozisht atë.

Në praktikë, deklaratat e Zelensky janë një hap larg nga bërja e një kërkese zyrtare që Ukraina të bashkohet me Aleancën Veriatlantike. Në të njëjtën kohë, në fakt, Kievi njoftoi stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë me pjesëmarrjen e forcave nga Britania dhe vendet e tjera të Aleancës, verën e ardhshme.

"Ukraina do të shkatërrohet"

Moska ishte e shpejtë për të reaguar me forcë. Përveç dërgimit të ushtrisë në kufi, Rusia paralajmëroi se këto deklarata do të çojnë në një luftë të re dhe se ajo do të rezultojë në "shkatërrimin e Ukrainës". Moska gjithashtu theksoi se banorët e Ukrainës lindore, Donetsk dhe Luhansk nuk do ta pëlqejnë aspak një zhvillim të tillë.

Përplasje intensive po ndodhin gjithashtu në nivelin diplomatik. "Ne jemi në kontakt me amerikanët dhe kjo po ndodh në një nivel shumë të lartë," tha Zëvendës Ministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov. Vetë Putini nuk e ngriti këtë çështje në një bisedë telefonike të fundit me Angela Merkel dhe Emanuel Macron.

Por me sa duket, Kremlini tashmë ka planifikuar lëvizjet e saj të radhës, pasi Putini mësohet se u ka komunikuar se do të marrë iniciativa të ashpra nëse Ukraina ndërmerr hapa drejt anëtarësimit në NATO.
Ekspertët thonë se Moska do të nxitojë për të siguruar statusin de jure të Ukrainës Lindore. Pavarësia de facto e provincave të Donbas pritet të jetë tema kryësore e disktutimit. Gjermania dhe Franca, duan apo nuk duan, do të detyrohen të vendosin sanksione thelbësore, pas SHBA-së.

Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri thirrje të enjten që Rusia të tërheqë trupat e vendosura përgjatë kufirit ukrainas gjatë telefonatës me Vladimir Putin. Një transkript i bisedës telefonike nga Berlini tha se të dy udhëheqësit diskutuan "praninë e shtuar ushtarake ruse në afërsi të Ukrainës lindore".

"Kancelarja bëri thirrje për zvogëlimin e përforcimeve të këtyre trupave në mënyrë që të arrihet një de-përshkallëzim i situatës," tha deklarata.

Në transkriptimin e saj, Kremlini nuk përmendi trupat e saj të vendosura pranë kufirit, por tha se Presidenti Putin "tërhoqi vëmendjen ndaj veprimeve provokuese të Kievit, i cili tani po përkeqëson situatën përgjatë vijës së kontaktit".

Diplomati i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha në fillim të kësaj jave ai "po ndiqte me shqetësim veprimtarinë ushtarake ruse përreth Ukrainës" dhe ofroi mbështetjen "e palëkundur" të bllokut për sovranitetin e Ukrainës. Ai shtoi se ministrat e jashtëm nga 27 vendet anëtare do të diskutojnë për këtë cështje në takimin e tyre të ardhshëm në 19 prill.

Rusia ka hedhur poshtë pretendimet, duke argumentuar se mund të vendosë trupat e saj kudo që e konsideron të nevojshme në territorin e saj dhe duke theksuar se ato nuk kërcënojnë askënd. /Euractiv/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë