Lojëra me Dore

Uimbëlldoni u anulua, por organizatorët përfitojnë 100 mln euro

Turneu i Uimbëlldonit është anuluar zyrtarisht. Nuk ndodhte që nga Lufta e Dytë Botërore, por pandemia e Koronavirusit ka bërë që edhe turneu i famshëm i tenisit, ashtu si disa të tjerë, të mos zhvillohet. Lajmi ka trishtuar protagonistët më të rëndësishëm të këtij sporti, ndërsa turneu londinez ka mundësinë të mbushë arkat sërish, falë siguracionit.

Që prej vitit 2003, kur u shfaq epidemia e Sarsit, në policën e sigurimit të turneut të Uimbëlldonit është shtuar një klauzolë kundër anulimit. Në rastin konkret, kur turneu është anuluar për shkak të Covid-19, në arkat e organizatorëve të tij do të derdhen 100 milionë euro.

Klauzola në fjalë do të mbulojë pjesën e humbjeve për shkak të anulimit të turneut. Të ardhurat në total të turneut të Uimbëlldonit zakonisht shkojnë në 260 milionë euro, por kësaj shume i zbriten kostot e organizimit dhe shpenzimet për çmimet që marrin lojtarët, rreth 50 milionë euro.

"Natyrisht, jemi me fat që kemi një policë të tillë sigurimi, që do të na ndihmojë të zgjidhim të gjitha problemet”, - ka konfirmuar drejtori i përgjithshëm i “All England Club”, Riçard Ljuis. “Uimbëlldoni, - shkruan sot “Times”, - është i vetmi turne Slam që ka një klauzolë në kontratën e sigurimit kundër anulimit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë