Futboll

Uesli Shneijder i jep lamtumirën futbollit, karrierë brilante me 7 fanella

Mesfushori i njohur holandez, Uesli Shneijder, ka bërë publik lajmin për tërheqjen nga futbolli i luajtur. Trekuartisti ka pasur një karrierë brilante, ka luajtur me klubet më të mëdha të Europës, ndërsa sezonin e fundit ishte i impenjuar në kampionatin e Katarit. Ka fituar Ligën e Kampionëve me fanellën e Interit dhe ka luajtur një finale të Kupës së Botës me Holandën ndaj Spanjës.

Uesli Shneijder e ka përshëndetur botën e futbollit në mënyrën e vet, në mënyrë surprizë, pa një njoftim zyrtar, por gjatë një interviste për faqen zyrtare të Utrehtit. 35-vjeçari, tashmë ish-futbollist, ka marrë një “skybox” për ndeshjet shtëpiake të klubit holandez, duke hyrë në grupin e ngushtë “business club”. Për këtë arsye, klubi vendosi ta kontaktonte për të postuar një video në kanalet e veta zyrtare. Këtë intervistë holandezi e shfrytëzoi për të bërë të ditur publikisht vendimin e tij. “E kam mbyllur me futbollin e luajtur”, -tha Shneijder gjatë intervistës. Aventura e fundit e tij ishte me fanellën e Gharafas në Katar, duke shënuar 16 gola në 27 ndeshje zyrtare.

Më parë Uesli Shneijder ka veshur fanellat e Ajaksit në Holandë, Real Madridit në Spanjë, Interit në Itali, Gallatasarajit në Turqi dhe Nicës në Francë, përveç kombëtares holandeze, kuptohet. Me kombëtaren ka luajtur ndeshje dhe ka shënuar 31 gola. Një jetë si trekuartist, një lojtar me vizion të jashtëzakonshëm loje dhe me nivel të lartë teknik. Është rritur në shkollën e Ajaksit dhe ka debutuar me ekipin e parë në vitin 2002. Pas 5 sezonesh si protagonist me Ajaksin, u shit te Real Madrid për 27 milionë euro. Dy sezone me ulje-ngritje në Spanjë dhe më pas kaloi në Itali, tek Interi, ku gjeti trajnerin Mourinjo, i cili i besoi “çelësat” e skuadrës. Debutoi me Interin në “derbin e Madoninës” dhe ishte protagonist absolut në vitin e tripletës së famshme zikaltër. Shneijder udhëhoqi Interin drejt suksesit të trefishtë, por edhe Holandën në Kupën e Botës. U rendit i 4-ti atë vit në klasifikimin e “Topit të Artë”. Më pas nisi rënia për mesfushorin, që luajti me Gallatasarajin, Nicën dhe Al Gharafën.

Shneijder është kthyer tashmë në qytetin e lindjes, në Utreht. “Kam një ndjenjë fantastike për qytetin. Kam në plan të stabilizohem këtu dhe të shoh çfarë do të ndodhë. Kur të jem në Holandë, me siguri do të shoh ndeshjet e Utrehtit. Dua të jem në këtë qytet sa më shumë të jetë e mundur”, - tha ai. Presidenti i Utrehtit, Frans van Seumeren, është mjaft entuziast për ardhjen e Shneijder: “Është fantastike që një ikonë e futbollit si Uesli të bashkohet me Utrehtin. Për fat të keq, ai nuk ka luajtur kurrë për këtë skuadër, por jam krenar që tani do të lidhet me klubin tonë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë