Lojëra me Dore

U përjashtua për një test negativ, Verdasko hedh në gjyq “Roland Garros”-in

Tenisti spanjoll, Fernando Verdasko, numri 59 në botë, ka hedhur në gjyq drejtuesit e turneut “Roland Garros”, pasi nuk e kanë lejuar të marrë pjesë në edicionin e këtij viti. Ai ka dalë pozitiv në një tampon të vetëm, ndërsa në gjithë testet e tjera ka dalë negativ, pas analizave të bëra nga organizatorët e turneut francez.

Ka qenë vetë 36-vjeçari nga Madridi që ka bërë më dije se do ta ndjekë çështje në rrugë gjyqësore. “Do të bëj një padi për dëme personale dhe profesionale, askush nuk mund ta besojë se një turne si Roland Garros mund ta bëjë këtë gjë. Nuk mund të ndodhë”, - ka thënë Verdasko për “Cadena Ser”. Më tej ai ka shtuar: “Nuk është më një çështje përfitimesh, është një dëm që të hap një plagë të madhe profesionale.

Nuk e di, nëse do të luajë gjatë këtij viti, sepse kështu të ikën dëshira për gjithçka. I bëjnë gjërat si duan ata, pa koherencë dhe pa asnjë lloj respekti. Të drejtat e lojtarëve për ta nuk vlejnë për asgjë”.

Verdasko e ka kaluar në mënyrë asintomatike Covid-19-ën gushtin që shkoi. Ai e denoncoi publikisht situatën të premten e kaluar, në prag të turneut. “Më hoqën të drejtën të marr pjesë pa më dhënë mundësinë për një tjetër test, për të konfirmuar se rezultati i të parit ishte një gabim”, - ka shkruar spanjolli në një letër të dërguar kryesisë së turneut të Parisit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë