Ka ndodhur

U nis ‘për të vrarë politikanët’, 36-vjeçari nga Lezha kapet me kamuflazh dhe arsenal armësh

Gazeta Si - Me objektivin për të vrarë politikanët e Lezhës, Antonio Leka, i armatosur dhe i veshur me kamuflazh e antiplumb është, neutralizuar nga policia pak para një ngjarje kriminale që mund të kishte shkaktuar viktima.

Gjatë momentit të arrestimit, 36-vjeçari nuk ka shfaqur rezistencë ndaj punonjësve të policisë, por u ka thënë këtyre të fundit se ishte nisur në drejtim të Lezhës, për të vrarë politikanët. “…do vras politikanët e Lezhës, dhe të zhduk farën e keqe të tyre…”, - ka pohuar Leka.

Policia ka publikuar pamjet nga kamerat e sigurisë së një lavazhi, ku i riu shfaqet me plis në kokë dhe me armën kallashnikov mbi automjetin e tij.

Ka qenë vëllai i 36-vjeçarit ai që ka lajmëruar policinë se Antonio Leka po qarkullonte i armatosur me automjetin tip “Audi” dhe se kishte paralajmëruar se do të kryente një krim të rëndë.

Menjëherë forcat e policisë janë vënë në ndjekje të tij dhe pasi e kanë neutralizuar në automjetin e tij, kanë gjetur një automatik me 5 karikator, një pistoletë me 5 karikatorë të tjerë, 550 fishekë, një palë dylbi, një antiplumb, një thikë dhe një sasi lënde narkotike e llojit kanabis sativa.

Mësohet se para grupit hetimor, ai ka thënë se ishte nisur të kryente një krim ndërsa dyshohet se ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike.

Për shkak të sekretit hetimor, policia thotë se nuk mund të jepen detaje të tjera në lidhje me motivet dhe objektivin e synuar nga i arrestuari, por mësohet se është me precedentë të mëparshëm penal, i akuzuar dhe arrestuar për plagosje dhe narkotike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë