Drejtësia

U kapën me rreth 7.3 kg kokainë në Portin e Durrësit, burg për dy kushërinjtë

Gazeta Si - Gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për dy kushërinjtë (djem tezesh), që u arrestuan me drogë me 7.3 kilogramë kokainë.

Mbrojtja e Mentor Çunit dhe Arjan Doçit kërkuan arrest në shtëpi ose garanci pasurore, por që nuk u pranua. Arjan Doçi është shoferi i furgonit, ndërsa Mentor Çuni, pronari.

Gjatë seancës, e cila u mbajt me dyer të mbyllura, Mentor Çuni ka thënë në gjykatë se e kishin kontaktuar dhe i kishin dhënë pakot. Të tre janë me origjinë nga Hasi, ndërsa banojnë në Tiranë.

Avokati kërkoi një masë më të butë sigurie kundrejt garancisë pasurore, por kjo u refuzua nga Gjykata. Nga dëshmia e Mentorit në gjykatë, mësohet se i ka dhënë dikujt furgonin dhe e ka marrë mbrapsht pas dy ditëve. Gjatë kësaj kohe është futur dhe ngarkesa brenda.

“E dija që do të bëhej diçka e pistë, por nuk e dija saktësisht” ka thënë ai. Ata u vunë në pranga pasi në furgonin e tyre u gjetën 7 pako kokainë, me peshë 7.3 kg. Sipas hetimeve paraprake, sasia e lëndës narkotike kishte si destinacion Anglinë dhe policia shpalli në kërkim njeriun që do e priste, Fatbardh Çuni.

Pakot e kokainës u gjetën më 24 maj, të fshehura në një vend të fshehtë poshtë sediljes së shoferit gjatë kontrollit me skaner në portin e Durrësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë