Vrasësi i dyshuar i Behar Sofisë, ka tentuar t’i shmanget dyshimeve të policisë duke krijuar një inskenim menjëherë pasi ka arritur objektivin.
Në 25 shkurt, Ernejt Shyti, është shfaqur duke çaluar pak përpara krimit dhe pas tij, për të krijuar përshtypjen para kamerave të sigurisë se nuk kishte lidhje me ngjarjen.
Por sipas grupit hetimor, 23-vjeçari, është zbuluar vetëm pasi ka marrë biçikletën poshtë urës së Lanës, ku me shpejtësi dhe aspak duke çaluar, ka dalë në rrugë me hapa të rregullt, e të shpejtë, duke u larguar më pas.
LEXO EDHE:
– Vrasja e Behar Sofisë, Renea zbarkon në Lanë për gjetjen e armës
– Vrasja e Behar Sofisë, burg për katër autorët e dyshuar
Kamerat e sigurisë që kanë filmuar të riun nga Fushë-Kruja, para dhe pas vrasjes së Sofisë, tregojnë se ai ecën duke çaluar, duke dhënë përshtypjen se ishte një person në nevojë dhe askush fillimisht nuk ka dyshuar për të.
Pamjet filmike, tregojnë se Shyti, i vihet nga pas viktimës, sapo ky i fundit kalon me shpejtësi vizat e bardha dhe merr drejtimin në trotuarin buzë lumit të Lanës.
Filmimet tregojnë vrasësin e dyshuar, duke e ndjekur nga pas 65-vjeçarin, ku Shyti shfaqet tërësisht i mbuluar, pasi në kokë mbante dhe kapuçin e xhupit të zi. Ndërsa duart i mbante në xhepa.
Ekspertiza e provave të gjetura në vendngjarje mësohet se është bërë në Britaninë e Madhe për të pasur edhe një rezultat më të saktë të ADN-së.
Po ashtu, mes Shytit dhe njërit prej bashkëpunëtorëve të dyshuar të vrasjes, Leonard Xhixha, ka pasur mesazhe në telefon.
Në telefonin e sekuestruar, është gjetur mesazhi i Xhixhës, i cili i ka shkruar Shytit: “…Doli nga shtëpia…”.
Shyti u arrestua në Mal të Zi, ku më pas është ekstraduar menjëherë drejt Shqipërisë.
Të hënën, së bashku me Skënder Vathin, Leonard Xhixhën dhe Xhuljano Vishën, ai ka dalë para gjykatës, e cila ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”.
Megjithatë, tre bashkëpunëtorët e dyshuar të vrasjes së Behar Sofisë, kanë mohuar të kenë pasur lidhje me ngjarjen.
Ata, akuzohen për “vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim” si dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.