Ngjarje

U dënua për pedofili nga drejtësia shqiptare në 2008, lirohet skocezi David Brown

Skocezi David Brown, i dënuar në vitin 2008 në Shqipëri me 20 vite burg me akuzën e pedofilisë ka lënë qelinë pas thuajse 13 viteve.

70-vjeçari u lirua javën që kaloi, ndërkohë që fajësia e tij është vënë në dyshime pas dëshmisë së dhënë për mediat britanike të dy viktimave të tij, të cilët thanë se janë detyruar nga policia dhe psikologët për të gënjyer gjatë dëshmisë së dhënë në gjyqin ndaj skocezit në 2008.

Brown mbërriti në Shqipëri në vitin 1999 me mision strehimin e fëmijëve jetimë. Ai hapi jetimoren “Fëmijët e tij” në Tiranë. Në 2006 jetimorja u mbyll dhe ai u arrestua nën dyshimet e pedofilisë. Grupi hetimor në atë kohë mori në pyetje 10 fëmijë, që dëshmuan se ishin abuzuar nga David Brown dhe Robin Arnold e Dino Christodoulou 2 punonjës të tjerë të fondacionit të tij.

Në 2017-ën, Brown përfitoi ulje dënimi për “sjellje të mirë”, ndërkohë që rasti i tij të paktën deri në vitin 2018 ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave britanike, të cilat vazhdimisht kanë hedhur dyshime mbi vërtetësinë e akuzave të ngritura ndaj tij.

Sipas mediave britanike, të paktën dy prej fëmijëve shqiptarë që dëshmuan në atë kohë për abuzimin kanë thënë se janë detyruar të gënjejnë dhe se asgjë nuk është vërtetë. Dy viktimat e abuzimit, që sot janë në moshë madhore, kanë deklaruar se janë detyruar nga policia dhe psikologët që të gënjejnë.

Vendimi i marrë në 2008-ën nga gjyqtari Gerd Hoxha e dënoi David Brown me 20 vite burg dhe dëbim nga Shqipëria në përfundim të kryerjes së këtij dënimi. Brown vetë këmbëngul në pafajësi dhe thotë se do të luftojë për të pastruar emrin nga akuzat e dënimi i dhënë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë