Gjykata e Lezhës ka vendosur pushimin e çështjes ndaj ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka.
Në përfundimin e saj, gjykata thotë se “nuk provohet vepra penale ndaj ish-deputetit Ndoka”.
Ky i fundit u arrestua në tetor të vitit 2018, në kuadër të operacionit “Volvo 4”, i dyshuar si i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash.
Pas arrestimit, Ndokës iu sekuestrua dhe pasuria me vlerë 40 milionë euro, që ishin toka dhe apartamente në bregdetin e Lezhës.
Arben Ndoka dhe 12 persona të tjerë u akuzuan nga prokuroria për tjetërsim pronash në Lezhë.
Hetimi ndaj tyre nisi në vitin 2016, si pjesë e dosjes së famshme “339”, ku Ndokajt dolën në përgjime me Avdylajt e Shijakut të dyshuar për trafik droge.
Në këtë dosje, prokuroria përfshiu edhe veprën penale të tjetërsimit të pronave tek “Rana e Hedhun” në Lezhë, çështja në të cilën Ndoka tashmë nuk është më i pandehur.
Përveç ish-deputetit socialist, prokuroria përfshiu në hetime edhe familjarë të tij.
Motra e tij, Mimoza Ndoka, u dënua me 1.4 vite, por me kusht. Nga ana tjetër Xhevi Ndoka, vëllai i Arben Ndokës, u dënua përfundimisht me 6.8 vite burg. Në këtë dosje, ka qenë i përfshirë edhe xhaxhai i tij, Gjok Ndoka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.