Ka ndodhur

U arratis nga Shqipëria, arrestohet në Kosovë këngëtarja Fjolla Morina

Këngëtarja e njohur Fjolla Morina, e cila ishte shpallur në kërkim në Shqipëri, është arrestuar në Kosovë. Sipas “Telegrafi”-t, ajo është arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi është zbuluar se ndodhej në një lokal në lagjen “Emshir” të Prishtinës.

Morina është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi ndaj saj rëndon akuza për trafikim të armëve dhe municionit në Shqipëri.

Ajo u arrestua vitin e kaluar në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri, ku gjatë kontrollit në doganën e Morinës, iu gjetën dy pistoleta, ndërsa ishte në shoqërinë e partnerit të saj dhe të shoferit.

Për Morinën, Gjykata e Kukësit dha masën e sigurisë në “arrest shtëpie”, ndërkohë në prill të këtij viti, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës, depozitoi vendimin për shpalljen në kërkim ndërkombëtar.

Ajo u dënua në 25 mars nga Gjykata e Kukësit me 9 vite burg, që pas zbritjes së 1/3 të dënimit prej gjykimit të shkurtuar, u reduktua në 6 vjet.

Prokuroria kishte kërkuar vetëm 7 vjet, por Gjykata u tregua më e ashpër, pasi u ndryshua klasifikimi i veprës penale, nga armëmbajtje pa leje, në trafikim të armëve të zjarrit.

Teksa ishte në arrati, këngëtarja 35-vjeçare publikonte foto nga vende të ndryshme të botës. Ndër këto momente, ajo kishte publikuar edhe sekuenca filmike nga martesa e saj me biznesmenin Fisnik Syla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë