Futboll

Tymnajë mbi Bajernin pas dy humbjeve radhazi, trajneri Tomas Tuhel nën akuzë

Gazeta Si – Të rënda pasojat e humbjes me Lacion në Champions, edhe pse Myler mbron trajnerin. Gjermanët nuk humbnin dy ndeshje radhazi që prej vitit 2019.

Shumë presion, që vazhdon të rritet. Pas ndeshjes mes Lacios dhe Bajernit, trajnerit Tomas Tuhel iu bë disa herë pyetja mbi të ardhmen e tij. “Nuk jam i shqetësuar, – tha trajneri. – Nuk e kuptoj pse këmbëngulni te kjo pjesë, do doja të flisnim për futboll”. Gazetarët vazhduan ta ngacmonin deri në atë pikë, sa u desh të ndërhynte përgjegjësi i komunikimit të klubit bavarez.

E ardhmja e trajnerit gjithsesi po diskutohet shumë. Trajneri konsiderohet përgjegjës për situatën dhe pritet vendimi i klubit. Prej 2019-ës Bajerni nuk pësonte dy humbje radhazi dhe që prej 2015-ës nuk përfundonte dy ndeshje radhazi pa shënuar asnjë gol. Numra që tregojnë qartë vështirësitë. Dhe pakënaqësitë ndaj Tuhel, që këtë sezon ka humbur Superkupën dhe është eliminuar nga Kupa e Gjermanisë, sa vijnë dhe shtohen.

Raporti mes trajnerit dhe disa lojtarëve nuk është aspak i qetë. Ato kanë nisur që në verë, kur Tuhel pati dyshime ndaj Kimish si mesfushor qendre. Tifozët e kritikojnë gjithmonë për faktin që ai nuk merr masa pas gabimeve të Upamekano dhe lë jashtë De Ligt.

Kuptohet që tifozët kërkojnë ‘kokën’ e trajnerit. Në dy ndeshjet e ardhshme Bajerni luan me Bochumin dhe Lajcigun dhe duhen 6 pikë për të marrë pak frymë. Drejtuesit e Bajernit nuk duan thjesht të shohin një reagim, por një skuadër që të ketë vazhdimësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë