Taksa

Qeveria do taksojë ata që lexojnë

Sabina Veizaj – Çmimi i librave do të rritet. Merita i takon eksluzivisht qeverisë e cila përmes një veprimi “tinzar” vendosi Tatimin mbi Vlerën e Shtuar edhe për librin duke kontribuar në djerrinën shpirtërore e analfabetizmin funksional të më shumë se 1 mln shqiptarëve që nuk munden të lexojnë .

Ndryshimet në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar që prekin edhe librin (si atë shkollor, dhe jo-shkollor) kanë sjellë anomali në të gjithë sistemin e librit dhe pritet të ketë rritje çmimesh për lexuesin.
Neni për librin, i ligjit që ka hyrë në fuqi më 1 janar, citon se “Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e librave të çdo lloji, është 6 përqind”.

“Kemi një TVSH 20% në blerje, e pangjarë në asnjë vend europian dhe zero për qind në shitje. Ky tatim nuk rimbursohet, siç është logjika e këtij tatimi. Kërkojmë një TVSH të ulët 5% në blerje dhe shitje. Kërkojmë të ulet tatimi mbi të ardhurat për veprimtarinë krijuese nga 15% në 5%”, do të thoshte Petrit Ymeri, kreu i Shoqatës së Botuesëve në Panairin e Librit të nëntorit 2017-ës.
Kërkesë e ripërsëritur për vite me radhë që prej 2006-ës, kur sipas Ymerit u çakordua sistemi i librit. Kërkesë që në 2017-ën u mbështet edhe nga Ministrja e Kulturës e asokohe Mirela Kumbaro.

Mirela Kumbaro

“Ju siguroj që nëse ne nxisim leximin si aktivitet emancipimi, si aktivitet edukimi, zgjidhim njëkohësisht edhe shumë probleme të tjera: bashkojmë radhët tona. Edhe unë nuk jam dakord për 15% mbi krijimtarinë. Sigurisht nuk do të fitohen të gjitha përnjëherë, por është një argument që unë nuk do të rresht ndonjëherë së harxhuari energjitë e mia dhe mjetet qeveritare”, do të shprehej në atë kohë Mirela Kumbaro.

Por ajo që ndodhi në fund të 2018-ës dhe është vulosur sot e zezë mbi të bardhë në lidhje me TVSh-në mbi librin është se, subjekti llogarit 6% TVSH-në në shitjen e librave, ndërkohë që zbret 20 % TVSH-në e paguar në blerjen e mallrave dhe shërbimeve në funksion të shitjes së librave, teksa para 1 janarit 2019 subjekti llogariste 0% TVSH në shitjen e librave dhe zbriste 20% TVSh-në e paguar në blerjen e mallrave dhe shërbimeve në funksion të shitjes së librave.

Loreta Berhami, Shtëpia Botuese “Pegi”

Loreta Berhami, drejtuese e Shtëpisë Botuese “Pegi” thotë për Gazetën “Si” se “në teori, nëse ligji i ri do të zbatohet siç e kemi kuptuar ne, pra që TVSh-ja e librave që shesim te librarët dhe shpërndarësit do të jetë 6%, por ajo e librave të shtypur që blejmë nga shtypshkronjat do të jetë 20%, kjo do të përbëjë një përparësi për ne, pasi do të na lejojë të zbresim TVSh-në e paguar nga TVSh-ja e marrë nga librarët. Duke qenë se çmimet e librave shkollorë janë të kufizuar me ligj, pra nuk janë çmime tregu, mjafton një llogaritje e vogël për të parë që dalim me kredi në TVSh, pra TVSh-ja që paguajmë është më e madhe se ajo që do të marrim. A do të na rimbursohet vërtet kjo kredi apo jo, mbetet për t’u parë.”
Berhami sqaron se ky ndryshim nuk është kërkuar nga shtëpitë botuese dhe “nuk jemi në dijeni të jetë kërkuar nga Shoqata e Botuesve të Librit Shkollor, pjesë e të cilës ne jemi. Nëse do të zbatohet si më lart, megjithëse lehtëson disa botues, druaj se ligji i ri do të rëndojë tek librarët. Duhet parë se çfarë mendojnë ata”, argumenton më tej ajo.

Librari Ferhat Muhedini i cili e ka nisur aktivitetin me të atin në vitin 1992 duke qenë të parët e atij lloji në Shqipëri (Friend’s Book House) shprehet shumë i shqetësuar për ndryshimet që iu bënë ligjit të TVSh-së për pjesën e librit.

Ferhat Muhedini “Friend’s Book House”


“Ne librarët as nuk u pyetëm dhe e morëm vesh nga televizori. Është bërë shumë luftë më parë nga botuesit dhe librarët që të hiqet TVSH e librit dhe pasi u miratua nga qeveria Berisha, kjo ishte një arritje shumë e madhe, që do të ndihmonte në uljen e çmimeve dhe përhapjen e leximit për rrjedhojë. Tani!? TVSH e librit na prek drejtpërdrejtë. Kjo do të ngrerë detyrimisht çmimin e librit”, thotë z.Muhedini për Gazetën “Si”. Ai vijon sqarimin duke thënë se “në shumicën dërrmuese e blejmë librin me lekë në dorë se botuesit kështu duan e thuajse imponohen, dhe duke u rritur çmimi, nuk do ketë shitje, si rrjedhim mallrat do të mbeten stok dhe ne nuk do të blejmë si më parë libra të rinj. Kjo ishte skandaloze. Propozoj të bëhet një rishikim sa nuk është vonë”

Në fakt deri më tani, gjithë grupet e interesit po përpiqen të kuptojnë ndryshimet në ligj sipas interpretimit të tyre që i bëjnë nenit përkatës, sepse udhëzimet e Ministrisë së Financave që do të orientojnë subjektet ende nuk kanë dalë.

Petrit Ymeri, Kryetar i Shoqatës së Botuesve


“Furnizimin e librave thotë ligji. Ne e kuptuam 6% në blerje, 6% në shitje. Del një variant që thotë 20 në blerje dhe 6% në shitje. Kjo ka lidhje me shtypshkronjën, e cila lastrat, fletët, energjinë, bojën i blen me TVSH 20%. Dhe nëse na i shet ne me 6%, i bie që ti paguajë nga xhepi.”- shpjegon kreu i Shoqatës së Botuesëve Petrit Ymeri duke shtuar se Shoqata nuk e ka kërkuar një gjë të tillë.

Për Z. Ymeri, ajo që shoqata ka kërkuar, ka qenë që TVSH-ja si në blerje dhe shitje të ulet dhe barazohet në të dy krahët e të prekë gjithë llojet e librave dhe të gjithë ata operatorë që merren me librin.

“Italia psh e ka 4% TVSH mbi librin dhe funksionon në këtë mënyrë: 2% paguhet kur shtypet dhe botohet libri dhe 2 % tjetër paguhet kur shitet libri. Ne gjithë jetën nga 2006 e këtej e kemi paguar TVSH-në, shitet apo nuk shitet dhe nuk është shitur kurrë, ne prapë e kemi paguar TVSH-në. E cila nuk na është kthyer kurrë mbrapsht. Ne kemi miliarda lekë, sektori i botimit, që ka paguar TVSH-në dhe nuk e ka marrë mbrapsht. Sepse në shitje ka qenë 0 dhe qoftë sepse e kemi paguar direkt. Gjë që nuk është e rregullt. Por kështu funksionon sistemi fiskal tek ne”, tregon z.Ymeri për Gazetën “Si”.

Për të sistemi librit aktualisht është i paralizuar sepse ligji ka hyrë në fuqi dy javë pasi është miratuar dhe nuk ka patur kohë që të rregullohen marrëdhëniet mes shtëpive botuese dhe librarëve. “ Anormaliteti; Ligji i TVSH është ndër ligjet themeltar të sistemit fiskal. Dhe nuk është normale që ky miratohet në 20 dhjetor dhe hyn në fuqi në 1 janar. Në botën e madhe që na rrethon, ligje të tilla hyjnë në fuqi një vit, dy vite pas miratimit. Që përgatitet i gjithë sistemi. Ne hyjmë pas dy javësh, kur asnjë nuk di se si do të veprojë. Kur magazinat e librarive janë me libra, magazinat e shtëpive botuese janë me libra. Furnizimet që kemi bërë ne në librari janë stoqe që duhen rivlerësuar. Sistemi ynë funksionon me kredi. Ne ju japim kredi librarive. Ne nuk i marrim lekët kur ua japim librarive, por vetëm kur shiten librat. Ne kemi bërë furnizimet në 2018-ën me zero. Ai duhet ta shesë me plus 6%. Stoqet në magazina ne i kemi marrë me 20% dhe do ti shesim me 6%. Duhej minimumi 6 muaj për të rregulluar marrëdhëniet me librarinë.”-shpjegon kreu i Shoqatës së Botuesve.

Për z.Ymeri ata që penalizohen për shkak të ligjit janë librarët dhe botuesit e vegjël. Drejtoria e Përgjithshme sqaron në lidhje me ndryshimet në ligjin e TVSH-së se “Me ligjin nr. 96/2018, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, (botuar në Fletoren Zyrtare 187, dt 28.12.2019, në fuqi nga data 01 janar 2019), furnizimi (shitja) e librave është furnizim i tatueshëm me shkallë të reduktuar të TVSH-së prej 6%.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar nuk është kosto për subjektin tregtar, pasi ai e zbret TVSH-në e paguar në blerje, madje zbritja e TVSH-së është e plotë (20%), pavarësisht se TVSH-ja në shitje është me shkallë të reduktuar (në rastin e librave, 6%).

Subjekti, llogarit 6% TVSH-në në shitjen e librave, ndërkohë që zbret 20 % TVSH-në e paguar në blerjen e mallrave dhe sherbimeve në funksion të shitjes së librave.
Tatimet shpjegojnë për Gazetën “Si” se udhëzimet janë duke u bërë gati dhe së shpejti do ti dërgohen Ministrisë së Financave e mandej do të bëhen publike. Afati i pagesës së TVSH-së për janarin është deri në dt 10 shkurt.

Kreu i Shoqatës së Botuesëve, gjatë bisedës me Gazetën “Si”, shkon përtej ndryshimeve të TVSH-së duke thënë se qeveria nuk ka politika serioze, të mirëmenduara, të diskutuara në ndihmë të librit.

“Ne kemi shumë vite që luftojmë që Ministria e Arsimit të furnizojë Bibliotekat e Shkollave se ka që nga 2012 që nuk janë furnizuar bibliotekat shkollore. Me zor u fut një shumë modeste 200 mln lekë të vjetra. Por ky fond u trajtua me mendjelehtësi dhe papërgjegjshmëri nga Ministria e Arsimit. Nga ky fond u shpenzuan vetëm 20 mln lekë dhe të tjerat u dogjën. Kishin gjithë vitin në dispozicion, por nuk e bënë. Ministrja aktuale Besa Shahini u mor me këtë dhe e dështoi”, thotë z.Ymeri duke bërë një qasje krahasuese me rajonin ku vendet si Serbia, Sllovenia, Kroacia, Maqedonia kanë politika librore shumë favorizuese, sidomos për furnizimin e bibliotekave publike. “Ato marrin 30-40% të tirazheve. Furnozojnë bibliotekat publike në mënyrë shembullore. Siç ka qenë tek ne në kohën e sistemit të dikurshëm.”

Të dhënat e Institutit Shqiptar të Statistikave, prej anketimit me pyetje të drejtpërdrejta të një kampioni prej pesë mijë familjesh shqiptare të publikuar në gusht 2018 tregojnë se, mes qytetarëve të rritur, mbi moshën 25-vjeçare, janë më shumë se 205 mijë qytetarë që nuk kanë lexuar kurrë asnjë libër dhe saktësisht 1 milionë e 33 mijë e 537 qytetarë që e kanë mbyllur vitin 2017 pa lexuar asnjë libër.
Nuk dimë nëse qeveria është nxituar dhe është ngatërruar me këmbët e veta rrugës për të lehtësuar lexuesit apo i intereson pakësimi i numrit të lexuesve!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë