Komunitet

Djerrina e leximeve – Nuk është vetëm faji i 1 milion shqiptarëve

Foto: LSA

Suadela Balliu – Sipas disa studimeve të fundit është dalë në përfundim se letërsia artistike duket se forcon cilësinë e empatisë tek njerëzit që e lexojnë atë, aftësinë e tyre për ta parë botën  me sytë e dikujt tjetër. Nisur nga shifrat statistikore të publikuara së fundi nga Instituti Shqiptar i Statistikave, duket se një milionë shqiptarë nuk kanë mundur ta provojnë atë shije që të jep hyrja brenda mendjes së shkrimtarit apo një personazhi, në atë mënyrë që pak arte munden ta bëjnë.

Gjendjen, në nivelet më të ulët të leximit në popullsinë shqiptare, botuesit  e kanë vërejtur dhe konstatuar prej të paktën prej pesë vitesh. Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe Shtëpia botuese “DITURIA” ka kryer disa anketime, me shtrirje të gjerë demografike dhe të shtresave të ndryshme sociale, duke përfshirë nga studentët e pedagogët deri te punonjësit e fasonerive. “Nuk e di sa të sakta mund të jenë të dhënat që ka nxjerrë INSTAT, pasi më duket edhe më e rëndë sesa e njohim ne gjendjen. Nga anketimet që kemi bërë ne, duke marrë kampionë mijëra qytetarë nga i gjithë vendi me objekte që shkojnë nga sa dhe si lexohet, deri te prirjet e fundit të leximeve. Këtë gjendje që raporton Instituti i Statistikave, e kemi hapur te fasoneritë; leximi ishte në nivelin më të ulët të tij”, thotë kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri , njëherazi botues i “SH.B. DITURIA”, pas publikimit të të dhënave të fundit nga Instituti Shqiptar i Statistikave ku rezulton se 1 milion shqiptarë mbi moshën 25 –vjeçare të mos kenë lexuar asnjë libër, të paktën vitin e kaluar.

Sipas Institutit Shqiptar të Statistikave, në anketimin me pyetje të drejtpërdrejta të një kampioni  prej pesë mijë familjesh shqiptare, ka rezultuar se mes qytetarëve të rritur, mbi moshën 25-vjeçare, janë më shumë se 205 mijë qytetarë që nuk kanë lexuar kurrë asnjë libër dhe saktësisht 1 milionë e 33 mijë e 537 qytetarë që e kanë mbyllur vitin 2017 pa lexuar asnjë libër. Numri vjen duke u ulur tek ata që kanë lexuar deri në pesë libra në vit, me rreth 320 mijë dhe akoma më i vogël; 102 mijë është numri i atyre që kanë lexuar një sasi nga pesë deri në dhjetë libra për vitin e kaluar. Numri i atyre që kanë lexuar më shumë sesa një mesatare prej dhjetë librash, është afro 34 mijë qytetarë.

Panairi i Librit, nëntor, 2017. 

Atë që z.Ymeri e sheh si problemin kryesor pas kësaj tabloje të trishtueshme, që tregon se një e treta e popullsisë shqiptare është fare larg librit, është se "askush nuk do t’ia dijë; as institucionet shtetërore, as politika". "Shohim debate nga më absurdet, ku pushtetarë të të gjithë niveleve janë të gatshëm të diskutojnë e të hedhin idetë e tyre, por me librin dhe kulturën nuk merret askush", thotë ai.

Por situata deri këtu nuk ka shkuar në rënie të lirë brenda një viti. Prej kohësh botues dhe librarë kanë bërë me zë shqetësimin mbi rënien e shitjeve të librave. Që numri i lexuesve ka rënë ndjeshëm, e pohon edhe Irena Toçi, nga shtëpia botuese “TOENA”, e cila edhe pse nuk ka të dhëna të sakta, e sheh një tendencë në ulje të leximeve. Edhe Arlinda Dudaj, nga botimet “Dudaj” pohon të njëjtën. “Nuk e di sesi i kanë nxjerrë të dhënat  INSTAT, por them se është një shifër që i afrohet realitetit”, thotë Dudaj, duke shtuar se ky është një trend dominues prej disa vitesh, por që këtë vit ka shënuar kulmin. “Unë këtë vit e kam ndjerë më shumë, madje e kam shprehur shumë shpesh si shqetësim”, vijon Dudaj, ndërsa u referohet shitjeve. Ajo thotë se nisur nga situata e pafavorshme, ka bërë që të mos nxjerrë në botim libra të rinj, të autorëve të njohur botërorë.

Loreta Berhami, drejtore e botimeve “Pegi”, duke shprehur dyshimet e saj mbi saktësinë e lajmit, thonë se është i trishtë, por jo aq befasues. “Mund ta gjykoj në mënyrë intuitive, bazuar në përvojën profesionale dhe nuk më duket një e dhënë “e pamundur”, thotë ajo. Berhami shton se shitjet e librit prej vitesh janë të palëvizura. “Herë bien pak, herë ngrihen pak. Prirja e përgjithshme nuk është pozitive.”

Sipas Petrit Ymerit, prej 25 vitesh mungojnë politikat  letrare. “Ikin dhe vijnë qeveritë, ministra dhe krahë politikë, por politika për librat ku të themi se çfarë problemesh kemi, ku çalojmë, si ta përmirësojmë, të diskutojmë... por asgjë nuk ndodh dhe, si rrjedhim i pavëmendjes, kemi një ambient ku mungon  libri”. Ymeri thotë se libri mungon edhe në bibliotekat publike, të qyteteve. “Restaurohen dhe rikonstruktohen bibliotekat e lagjeve, por janë parà që shkojnë për tulla dhe xhama e jo për libra. Mund të them se në disa biblioteka, si ajo te Rruga “Mine Peza”, apo ajo pranë Gjykatës së Tiranës, janë restauruar kur kanë qenë në gjendje të mirë. Aty mungonte libri. Nëse ato parà të tullave do të shkonin për libra do të ishte shumë mirë, ajo lagje, ai pensionist, fëmija, të rinj e të reja, kush ka dëshirë, do të kthehej në bibliotekë.”

Biblioteka  "Musine Kokalari". 

Furnizimi i bibliotekave publike të kryeqytetit, shton z.Ymeri, është përgjegjësi e Bashkisë së Tiranës. Duke e krahasuar me shtetet e rajonit si Kroaci, Slloveni, Serbi e Maqedoni, Ymeri thotë se afro 40 përqind e tirazheve të botimeve shkojnë në bibliotekat publike, ndërsa në Shqipëri thotë se furnizimi i fundit për bibliotekat publike e ato shkollore është bërë gjashtë vjet më parë, më 2012-ën. Sipas të dhënave të INSTAT, rezulton se edhe numri i frekuentimeve në Bibliotekën Kombëtare për  2017-ën është përgjysmuar, duke zbritur në 88 mijë, nga  mbi 150 mijë në vitin 2016.

“Shteti ka detyrimin ta furnizojë popullin e tij me kulturë, t’i propozojë kulturë, t’i propozojë librin”. Ymeri thotë se e njëjta tablo është edhe në bibliotekat shkollore. “Kemi parë biblioteka shkolle me 200, 100 e deri edhe me 50 libra. I kam parë vetë, nga jugu në veri. Furnizimi me libra i tyre është detyrë e shtetit, e Ministrisë së Arsimit. U bë një blerje simbolike librash vitin e kaluar nga Ministra e Arsimit, por jo me fondet e shtetit”, thotë ai. Ymeri shton se ka parë edhe shumë mësues të pasionuar pas librit që u kërkojnë botuesve t’u falin disa kopje, por me gjithë vullnetin e mirë të botuesve për të dhuruar libra, nuk e sheh si zgjidhjen e fundme.

Biblioteka Kombëtare, pas përmbytjes, pak muaj më parë. 

Me gjithë mirëkuptimin që kanë marrë nga Ministria e Arsimit, asgjë nuk ka ndodhur. “Jemi një vend i varfër, me plot halle, ca me punë e ca pa punë, ca ikin e ca rrinë, por shteti ka detyrë që fëmijëve dhe të rinjve t’u japë librin, në biblioteka shkollore dhe publike. Politikat stimuluese janë shumë të mira, por po mungoi libri, nuk kemi për çfarë flasim.”

“Shteti ka detyrimin ta furnizojë popullin e tij me kulturë, t’i propozojë kulturë, t’i propozojë librin.” Petrit Ymeri, Kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë. 

Ymeri thotë se edhe gjendja ekonomike sociale është një faktor, që i largon edhe më shumë shqiptarët nga libri.  “Ka familje me të ardhura të ulëta  nuk munden ta blejnë librin, siç ka edhe familje që nuk e vrasin mendjen për librin, por çështja e tyre; shteti duhet të ketë ambiente  me librin.” Sipas  të dhënave nga “Eurostat” në vendet e Bashkimit Europian rreth 20 përqind e popullsisë janë lexues të rregullt dhe se një europian shpenzon mesatarisht thuajse 200 euro për libra.

Edhe Arlinda Dudaj, thotë se nuk mjaftojnë shitjet në zgjedhje të lirë të prindërve, por janë institucionet  e edukimit ato që do të duhet të ishin blerëset më të mëdha të librave. Kjo gjendje thatësie për shitjet e librave dhe për pasojë e leximit vijon edhe në panairet e librave, ku veç ekspozimit nuk duket se shihet ndonjë ndryshim i madh në shitje.

Panairi i Librit, nëntor 2017

Për drejtoren e shtëpisë botuese “UET Press”,  Alda Bardhyli, publikimi i këtyre shifrave nuk është surprizë. Sipas saj rasti i fundit që nxori në pah thellimin e kësaj krize ishte Panairi i 20-të i Librit, ku shitjet shënuan shifrat më të ulëta, në historinë e panairit.“Në  botë ka nisur një diskutim i madh rreth mënyrave sesi duhet të nxirret libri nga kjo situatë, duke rritur politikat e shpërndarjes apo mënyrat sesi libri mund të shkojë në mënyrë më të lehtë e interesante tek lexuesi. Në Shqipëri kjo krizë ka kaluar në heshtje, e mbuluar në shumë raste nga titujt e rinj,  që çdo ditë dalin në librari e që  krijojnë një iluzion tjetër nga gjendja reale e librit.”

Dikush që ka lexuar një libër në format elektronik nuk ka pse të thotë se nuk ka lexuar asnjë libër.”

Loreta Berhami, Botimet "Pegi"

A po u ikin shqiptarët leximeve në letër për të përqafuar tendencat globale të leximeve online dhe librave elektronikë? Ymeri thotë se teknologjia është një ofertë e re e leximit, por nuk i mbyll derën librit.  Kemi bërë libra elektronikë, kemi pasur projekte edhe me “Vodafone Books” , por nuk është se ka ndonjë rezultat të madh, as edhe me libra falas. Por kryesorja është libri që gjejmë në bibliotekë.”

Për situatën në të cilën ndodhet libri sot në Shqipëri, aq i distancuar prej destinatarit të tij, Berhami nga botimet "Pegi", nuk mendon se ka ndikuar formati elektronik, “i cili është libër sidoqoftë. Dikush që ka lexuar një libër në format elektronik nuk ka pse të  thotë se nuk ka lexuar asnjë  libër.”

Libraria Tirana Time, Tiranë. 

Edhe Dudaj nuk sheh problematike faktin se shtohen lexuesit e librave elektronikë. “Ai është gjithsesi lexim. Puna është se në Shqipëri kjo nuk vlen, pasi  nuk botojmë libra elektronikë. Ata që e kanë bërë, e bëjnë në gjuhë të huaj.” Ajo që vëren Dudaj është edhe një qasje sipërfaqësore ndaj librit, ushqyer edhe prej rrjeteve sociale, ku ka shumë që duket se e përdorin librin vetëm si aksesor në fotografitë e postuara në Instagram. “Mbase kjo prirje sipërfaqësore për ta parë librin vetëm nga kopertina dhe jo përmbajtja është globale, pasi shoqëria në rrjetet sociale aty po shkon, por e shoh si fenomen në rritje edhe në vendin tonë.”

Edhe drejtorja e botimeve “Pegi” është e mendimit se një prej ndikuesve kryesorë negativë janë rrjetet sociale. “Por edhe kjo është një intuitë. Kjo pyetje do të  kërkonte një  kërkim statistikor dhe shkencor të  mirëfilltë. Ndonjë nga studentët e shkencave sociale apo të  ekonomisë mund të  bënte një punë  të  frytshme për veten dhe për shoqërinë shqiptare, nëse merrte përsipër të  hidhte pak më  shumë dritë  mbi këtë të  dhënë apo të tjera,  të lidhura me të.", thotë Berhami.

Në botë ka nisur një diskutim i madh sesi duhet të nxirret libri nga kjo situatë. Në Shqipëri kjo krizë ka kaluar në heshtje, e mbuluar në shumë raste nga titujt e rinj, që ë krijojnë një iluzion tjetër nga gjendja reale e librit.”

Alda Bardhyli, "UET Press"

Nëse nuk janë tendencat e reja që çojnë në  braktisjen e klasikes për përqafimin e epokave të reja rasti i shqiptarëve, a janë niveli i arsimimit dhe gjendja ekonomike tregues të fortë të shifrave të ulëta të leximit?“Jemi në vend i varfër, me plot halle, ca me punë e ca pa punë, ca ikin e ca rrinë, por shteti ka detyrë që fëmijëve dhe të rinjve t’u japë librin, në biblioteka shkollore dhe publike. Nga të dhënat e Institutit të Statistikave, afro 148 mijë qytetarë me arsim të ulët nuk kanë lexuar asnjëherë në jetën e tyre një libër, ndërsa numri rritet në më shumë se 606 mijë banorë me arsim të ulët që për vitin 2017 nuk kanë prekur një libër me dorë. Sipas Petrit Ymerit, pas strukturave dhe ambientit libror mungues, faktori i dytë që renditet si shkaktar i kësaj situatë është gjendja ekonomike-sociale.

“Të dytën nuk e rregullojmë dot, por e para me ndërhyrjen e shtetit rregullohet; mjafton një fond i vogël për çdo bashki që t’ua shpërndajë bibliotekave.”Sa herë që bëhen kryefjalë diskutime të tilla të lidhura me librin dhe tkurrjen e shitjeve apo mpakjen e lexuesve ka një tendencë të fajësohet kulturalisht “shqiptari që nuk lexon” “të rinjtë që nuk kursejnë për kafe, por ngurrojnë të nxjerrin para nga xhepi për një libër”, Ymeri thotë se për këtë situatë nuk duhet fajësuar konsumatori. “Nuk ka faj konsumatori, nuk mund të ketë faj konsumatori; shteti është i  detyruar të japë këtë produkt kulturor. Ka qytete pa biblioteka. As Tirana nuk ka bibliotekë si qytet, nuk i ka vajtur kujt ndërmend se duhet të ketë Biblioteka e Tiranës. Ke Durrësin, që  ka një bibliotekë për të ardhur turp. Durrësi që po mbytet nga betoni, por nuk investohet për një bibliotekë të re; ka 30 vjet që duket se është gati në rrënim.”

Biblioteka "Musine Kokalari" 

Ymeri shton se kontaktet e qytetarëve me librin po dobësohen çdo ditë e më shumë. Duke munguar blerjet e mëdha për biblioteka – shkollore dhe publike – zgjidhja e vetme që botuesit mbeten libraritë.“Por edhe ato janë të pakta. Në dhjetë vitet e fundit nuk ka librari të reja.”Ymeri thotë se si shoqatë botuesish, prej 20 vitesh kanë propozuar që bashkitë të nxisin ndërtuesit që veç blloqeve të pallateve të ndërtojnë edhe librari. “Le të këtë në dhjetë leje ndërtimi, një librari. Ta  vendosë si kusht.”

Megjithë aktivitetet me në qendër librin, organizimet e panaireve, botimin e letërsisë më të mirë të huaj, humbja e lexuesit, veçanërisht atij të moshës së re që konsiderohet edhe si lexuesi i së ardhmes, është tashmë një realitet i pashmangshëm. “Kjo është historia e trishtueshme e këtij raporti të INSTAT dhe të gjendjes akoma më të trishtueshme dhe reale përballja e librit me lexuesin shqiptar”, përfundon Ymeri duke shtuar se shteti duhet të hartojë politika afatgjata për librin si heqja e taksave për libraritë e reja, heqja e taksës së leximit, TVSh-ja e librit,  të ulet tatimi prej 15 përqind i honorarëve apo tatimi mbi shtëpitë botuese. “Të gjitha këto bëjnë pjesë në politikat librore.  T’i diskutojmë të gjithë së bashku për një qëllim të madh që është leximi. Leximi nuk është luks, është detyrë për t’i dhënë një shpresë, një dritë, një mundësi kulturimi brezit të ri, vendit tonë.”

Paradoksal qëndron raporti botime-lexues, ku megjithëse janë shtuar botimet, numri i lexuesve jo vetëm që nuk është rritur, siç shpresonin botuesit, por është ulur ndjeshëm. Një trend që sicc thotë Bardhyli, po përkufizon tre dekadat e fundit.  “Ajo çfarë është më e trishtë në realitetin shqiptar është humbja e lexuesit të ri dhe investimet e munguara për këtë lexues, që në një farë mënyre ka në dorë dhe interesat që lidhen me librin e së ardhmes. Shifrat e INSTAT vetëm konfirmojnë këtë situatë e cila është bërë publike shpesh nga botuesit, apo njerëzit e librit. Në këtë situatë “emergjente” është e nevojshme hartimi i politikave më të forta kulturore përsa i përket leximit që duhet të nisin nga arsimi 9-vjeçar.”, përfundon drejtorja e botimeve “UET Press”.

Në gjithë këtë situatë të zymtë ka edhe nga ata që e shohin situatën pak më ndryshe. Platforma e blerjeve online të librave, “Bukinist” ka thënë në një intervistë për  gazetën “Si” disa muaj më parë se  prej vitit 2016, kur kjo platformë ka dalë në treg numëron më shumë se 6 mijë lexues, në një ofertë prej afro 8 mijë titujsh, shifër që vazhdon në rritje konstante me 15 klientë-lexues në ditë.  Ky interes në rritje i lexuesve vjen edhe për shkak të politikave nxitëse që kjo platformë ndjek, përmes ofertave dhe uljeve të herëpashershme që shkon deri në 30 përqind më pak se çmimi real i librit, kartës së klientëve apo dhuratave në fund të vitit. 

Larg leximit, Shqipëria rast i izoluar apo pjesë e trendit global?

Megjithëse një qytetar europian shpenzon afro 200 euro nga të ardhurat e tij mujore për blerje të librave , tkurrja e komunitetit të lexuesve tashmë është shqetësim global. Sipas  të dhënave të institutit kërkimor britanik  “Nielsen BookScan” që ka gjurmuar shitjet e librave në disa shtete të botë,  të dhënat e  vitit 2016  tregojnë se shitjet e librit në letër ishin në rritje në shtete si Britania, ShBA dhe Irlanda, por në rënie në vende si Italia, Spanja , Australia dhe Afrika e Jugut. Kjo tablo, sipas Hazel Kenyon drejtorit të kërkimit të librit të “Nielsen”   ka pak të bëjë me rritjen e librave elektronikë sesa me  brishtësinë e tregjeve të librit dhe mund të lëkundet nga tendencat dhe suksesi i titujve individualë.

Këtë e tregon shitja e librave në shtetin e Brazilit,  që është luhatur gjerësisht nga viti 2013. Shitjet janë më se dyfishuar në vitin 2014, pjesërisht edhe për shkak të sukseseve të librit të gatimit të një ish prifti kthyer në shef kuzhine, At’ Marcelo Rosi, por mes 2015-ës dhe 2016 –ës shitjet kanë rënë me afro 10 përqind. Në Irlandë shitjet e librave janë rritur me 9 përqind mes 2015 dhe 2016 –ës. Megjithatë kjo ka ndodhur edhe për shkak të suksesit të titujve  individualë.

Duket se Britania dhe ShBA mund të falënderojnë turbulencën politike si pjesë e rritjeve në shitjet e librit letër. Në Britani, si Five on Brexit Island,  si edhe tituj të librave mbi stilin e jetesës dhe ata për fëmijë kanë ndihmuar rritjen e shitjeve me 2.3 përqind. Në ShBA, titujt religjioze dhe ata për  ndihmën vetjake kanë kontribuar me 1.3 përqind në rritje.

Përqindja e të rriturve  amerikanë që lexojnë letërsi ka rënë në tre dekadat e fundit dhe ka shënuar shifrën më të ulët në vitin 2015, sipas një raporti nga  Ndihma Kombëtare për Artet, ku vetëm 43 përqind e të rrituve kishin lexuar një vepër letrare në vitin paraardhës. Kjo është përqindja më e ulët  në historinë e anketimeve në ShBA.

Megjithatë një trend në rënie  është vënë re edhe tek shitja e librave online, ku botuesit tradicionalë kanë shitur 10 përqind më pak në 2017 –ën sesa një vit më parë, sipas të dhënave të prezantuara nga  PubTrack Digital.  Në disa vende si Britania, rënie e shitjeve të librit elektronik kanë bërë që konsumatorët t’i kthehen formatit në letër, ku faktor ndikues shihet edhe investimi i botuesve në bërjen e librave në letër më tërheqës për syrin, duke pajtuar dizajnerë apo ilustrues me emër, për të siguruar kështu që printi të mbetet ende një formë e dëshirueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë