Ana e errët

Turqia spiunon Shqipërinë dhe Greqinë nëpërmjet hakerave

Hakerat duket të jenë “arma e re” e Turqisë për spiunazhin mbi vendet europiane. Presidenti turk  Rexhep Tajip Erdogan nuk ka kursyer në këtë operacion as Shqipërinë, pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe.

Turqia ka ndërmarrë një valë sulmesh kibernetike në të gjithë Europën, duke vënë në shënjestër në veçanti Greqinë, por edhe Shqipërinë. Sipas zyrtarëve britanikë dhe amerikanë, aktiviteti mbart shenjat e një operacioni spiunazhi kibernetik të mbështetur nga qeveria, i kryer për të përparuar interesat turke.

Sipas një investigim të agjencisë së lajmeve “Reuters”, hakerat turq sulmuan vendin tonë duke tentuar të thyejnë Shërbimin Informativ Shqiptar (SHISH).

“Që në fillim të vitit 2019 dhe në vazhdim, informacionet e strukturave të inteligjencës shqiptare kanë qënë në shënjestër të sulmeve kibernetike. Qindra emra përdoruesish dhe fjalëkalimesh janë komprometuar si rezultat i këtyre aktiviteteve të lidhura me spiunazhin kibernetik, pas të cilit duket se qëndron qeveria turke.

Shërbimi Informativ Shqiptar ka deklaruar se deri më tani hakerat nuk kanë prekur asnjë informacion të klasifikuar si sekret shtetëror apo të sigurisë së lartë”, shkruan “Reuters”.

Godina e SHISH në Tiranë

Ajo citon tre zyrtarë të lartë të sigurimit, dy britanikë dhe një amerikan të cilët konfirmojnë se hakerat kanë siguruar qasje të paligjshme në 30 organizata qeveritare, përfshirë ambasadat, ministritë dhe shërbimet e sigurisë greke, qipriote, irakiane, mes tyre edhe ato shqiptare. Në shënjestër kanë qenë edhe disa organizata të shoqërisë civile në Turqi, që besohet se kanë lidhje me klerikun Fethullah Gylen.

Zyrtarët perëndimorë dhe ekspertët privatë të sigurisë në internet kanë identifikuar metodën e përdorur nga hakerat e cila përfshinte rregullimin e librit të adresave efektive të internetit, të quajtur Sistemi i Domain Name. Ata kanë ngritur alramin për shtimin e rasteve të spiunazhit kibernetik i cili cënon edhe sigurinë kombëtare.

Sipas të dhënave të marra nga agjencia botërore e lajmeve, viktima të hakerave janë shërbimet e postës elektronike të qeverisë Qipriote dhe Greke dhe këshilltarin e qeverisë irakiane për sigurinë kombëtare.

Sipas zyrtarëve, nuk është ende e qartë se cilët persona ose organizata specifike ishin përgjegjës. Por nisur nga fakti se të gjitha sulmet përdornin të njëjtët serverë ngre dyshime të forta se valët e sulmeve ishin urdhëruar nga qeveria.

Luftë kibernetike Turqi-Greqi

"Anonimus Greece", Gazeta Si, 2020

Shërbimi Informativ Shqiptar duket të jetë vetëm një nga shënjestrat e Turqisë në rajon, në përpjekje për të shtënë në dorë informacione të klasifikuara.

Media greke raportoi në fillim të kësaj jave se hakerat turq sulmuan faqen e parlamentit grek, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Shërbimit të Inteligjencës Kombëtare. Probleme janë raportuar edhe në faqet e Thesarir dhe Bursës së Athinës.

Si përgjigje, “Anonimus Greece” , një organizatë e hakerash, e cila e përkufizon veten si një Organizatë Jo-Qeveritare (OJQ), e ka kundër sulmuar Turqinë, duke marrë nën kontroll disa uebsite në pronësi të shtetit. Megjithëse aktivitetet e këtij grupi kanë qenë të diskutueshme, ata thonë se shpesh i kanë ndihmuar autoritetet greke të identifikojnë pedofilët që veprojnë në internet.

Më 23 janar, zëdhënësi i qeverisë Greke Stelios Petsas konfirmoi se sulme në faqet e internetit të Ministrisë të Brendshme dhe Punëve të Jashtme, Transportit, Financave dhe Uebfaqes së Kryeministrit ishin bërë nga hakerat turq.

Në një intervistë Ethnos.gr, për gazetën anëtarët e “Anonimus Greece” thanë ndërkohë se ata që sulmuan uebsitet greke nuk ishin hakera profesionistë, por zyrtarë qeveritarë.

"Ne mendojmë se ata janë zyrtarë qeveritarë të Rexhep Tajip Erdogan. Ata kanë fonde të bollshme dhe mjete të veçanta. Është sekret i zakonshëm që ky grup operon nën urdhërat e Agjenisë Turke të Inteligjences”, thanë dy anëtarë të këtij grupi. "Pas zhvillimeve në Libi, ne prisnim që ata të bënin diçka, "shtuan ata.
Grupi anonim thotë madje se "lufta në internet" mes hakerave qeveritare greke dhe turkë është e përditshme dhe e padukshme, duke thënë " shumë gjëra që njerëzit nuk i shohin ".

Marrëdhëniet greko-turke nuk kanë qenë kurrë të lehta, por ajo që habiti opinionin publik ishin sulmet ndaj Shqipërisë, duke qene se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në kulmin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë