Komunitet

Turizmi rrit trafikun për qëllime prostitucioni brenda vendit

Departamenti Amerikan i Shtetit renditi Shqipërinë edhe për këtë vit në kategorinë e dytë të grupit të vendeve që nuk përmbushin as standardet minimale në luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore, por me një gjuhë të kujdesur diplomatike thotë që “përpjekjet për t’i përmbushur ato janë të mëdha”.

Shqipëria konsiderohet vendburim dhe vend tranziti për trafikun dhe viktimat janë kryesisht vajza të reja që shfrytëzohen për prostitucion, apo fëmijë për lypje dhe punë të detyruar në vende të ndryshme europiane.

Në Ditën Ndërkombëtare e Luftës Kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore sfidat për strukturat ligjzbatuese në vendin tonë mbeten ende të mëdha. Disa prej këtyre sfidave nënvizohen edhe në raportin e DASH. Raporti vë në dukje se janë disa sektorë kyç për të cilat qeveria nuk ka plotësuar as standardet minimale. Mes tyre është vazhdimi i praktikës ligjore që ndëshkon viktimat e trafikimit, zbutja shpesh e qëllimtë akuzave ndaj trafikantëve, që në procese gjyqësore nuk përballen me atë të “shfrytëzimit të prostitucionit”, si dhe mungesa e profesionalizimit, apo korrupsionit gjatë hetimeve, që nuk kryhen duke vendosur në qendër viktimat e trafikut.

Një tjetër problematikë janë edhe vonesat në financimin e strehimeve të sigurta të drejtuara nga organizatat joqeveritare.

Raporti i rekomandon Shqipërisë që të përjashtojë viktimat nga ndjekja penale, kur shkeljet ligjore janë rezultat i drejtpërdrejtë i trafikimit, sidomos për viktimat e trafikut seksual, të cilat shfrytëzohen për prostitucion.

Kërkohen gjithshtu më shumë përpjekje në ndjekjen penale dhe ndëshkimin e trafikantëve, por edhe të zyrtarëve të përfshirë drejtpërdrejtë, apo tërthorazi në këtë veprimtari kriminale, si dhe trajnimi i organeve ligjzbatuese në këtë kuadër.

Ajo që nënvizohet në të gjitha raportet ndërkombëtare përsa i përket trafikut të qënieve njerëzore është fakti që pjesa dërrmuese e viktimave janë vajza të reja. Kjo shtresë mashtrohet nga trafikantët me premtimin e një martese, apo një jete më të mirë në vendet e Bashkimit Europian dhe më pas përfundojnë në rrugë duke prostituuar.

Raportet njohin se nga viti në vit numri i vajzave të trafikuara ka rënë dhe vazhdon të bjerë, por organizatat joqeveritare në Shqipëri kanë nxjerrë në pah një tjetër fenomen; trafikimin e brendshëm.

“Trafikimi brenda Shqipërisë është rritur veçanërisht nga qytetet e vogla për në qytetet e mëdha dhe sidomos në Durrës gjatë muajve të verës. Kjo është një gjë shqetësuese”, thotë Amy Sebes për Zërin e Amerikës.

Amy Sebes është shtetase amerikane që 15 vite më parë themeloi Shoqatën e Grave dhe Vajzave Shqiptare dhe përgjatë kësaj periudhe ajo ka ndihmuar qindra vajza e gra që të riintegrohen në shoqëri.

Një tjetër pikë e dobët e qortuar si nga raportet ndërkombëtare, ashtu edhe nga organizatat dhe shoqatat joqeveritare në Shqipëri është mungesa e informacionit dhe ndërgjegjësimit të shoqërisë. Sipas tyre, fushatat duhet të synojnë identifikimin dhe ekspozimin e metodave më të rafinuara që ndjekin sot trafikantët, ndryshe nga çfarë bënin vite më parë, kur këto metoda ishin më brutale.

Për fenomenin, në shkurt të 2017 BBC publikoi një investigim ku në qendër ishin viktimat shqiptare të trafikimit. Investigimi kishte nisur që në vitin 2015, përgjatë të cilit, sipas televizionit britanik nga rreth 3200 viktima të trafikut në Britaninë e Madhe, 600 prej tyre ishin shqiptarë.

Hetimi i gazetares Reeta Chakrabarti u zhvendos edhe në Shqipëri, ku foli me viktima të trafikut dhe zbuloi shkaqet që e bëjnë vendin tonë burim të këtij fenomeni.

Rendit mes arsyeve varfërinë, veçanërisht në zonat rurale, ku vajzat janë më vulnerabël duke u gënjyer me martesa të rreme dhe punë. Shumica e viktimave iu nënshtrohen trafikimit për qëllime seksuale dhe punës së detyruar në vendet e BE dhe mendësia e shoqërisë e paragjykimi i vajzave të trafikuara nuk ndihmojnë në luftën kundër këtij fenomeni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë