Media Galeri

Turistët në Venecia po luftojnë pulëbardhat me… pistoleta uji

Një shoqatë hotelesh në Venecia po harton plane për të shmangur pulëbardhat “agresive dhe të bezdisshme”, megjithëse disa hotele e kanë gjetur një zgjidhje, duke i pajisur mysafirët me pistoleta me ujë për të qëlluar mbi pulëbardhat.

Prania e pulëbardhave në qytetin e famshëm është bërë gjithnjë e më problematike gjatë viteve të fundit ku së fundmi një prej tyre rrëmbeu një akullore nga një turiste teksa ajo ecte në sheshin e Shën Markut.

Edhe pse skena ishte argëtuese për shikuesit, shoqata e pa shumë shqetësuese këtë dhe organizoi një seminar për të gjetur ide për të larguar grabitësit e ushqimit nga zonat e jashtme të ngrënies.

“Numri i madh i pulëbardhave, përveçse një prani e bezdisshme për njerëzit, paraqet një problem për shëndetin dhe higjienën, si dhe për ndërtesat dhe mjedisin”, tha Francesco Boemo, ekspert i mjedisit që koordinoi seminarin.

Zgjidhjet e diskutuara përfshijnë largimin e tyre me një sistem të veçantë akustik ose aroma të pakëndshme (edhe pse këto mund të kthehen në problem për njerëzit më pas).

“Sapo të ftuarit ngrihen, ndoshta për të shkuar në tualet, pulëbardhat hidhen mbi ushqimin dhe e marrin atë”, tha një kamarier.

“Jemi të detyruar të ndërhyjmë vazhdimisht për të ndërruar mbulesa tavoline, pjata dhe gota, të cilat shpesh i thyejnë. Disa klientë qeshin me këtë, por të tjerë zemërohen”.

Kështu, dy hotele, Gritti Palace dhe Hotel Monaco & Grand Canal, tani janë duke i pajisur mysafirët me pistoleta uji, të gjitha portokalli, pasi u thanë se pulëbardhave nuk u pëlqen ngjyra.

“Sapo shohin pistoletat, ato fluturojnë larg”, tha Paolo Lorenzini, nga Pallati Gritti. “Ju as nuk keni nevojë t’i përdorni ato, thjesht duhet t’i mbani në tryezë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë