Megjithëse në Shqipëri janë konfirmuar edhe rastet e para zyrtare të infeksionit nga varianti Delta, serish vendi ynë është i vetmi në rajon ku turistët hyjnë pa asnjë masë kufizuese.
Në fundjavë gjatë një nga vizitat e fundit të Ministres së shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në qendrat shëndetësore turistike në Durrës, u konfirmua nga Drejtoresha e qendrës se tek zona “Shkëmbi i Kavajës” ka pasur edhe raste të konfirmuara me Covid-19. Por informacioni mbeti me kaq. Asnjë e dhënë zyrtare deri tani edhe për zonat e tjera me pushues në të gjithë Shqipërinë. Pyetja me numrit e të infektuarve nuk lidhet me sasinë, por me shqetësimin se çfarë duhet bërë kur një pushues në hotel rezulton pozitiv.
Albana Fico drejtoresha ISHP tha për Gazetën “Si” se nëse një turist infektohet me Covid-19, duhet të karantinohet dhe sipas saj monitorohen nga mjeket në hotelin ku qëndron dhe trajtohet njëlloj si një shtetas shqiptar dhe nëse ka nevojë për trajtim spitalor shpenzimet i mbulon shteti. Këto raste në përgjithësi duhet të evidentohen edhe nga inspektorati shëndetësor.
Gjatë mbledhjes së fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve Shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino, tha se rastet e ardhura të konfirmuara me variantin Delta ishin përkatësisht: dy raste nga Britania e Madhe, dy nga Gjermania dhe nga një nga Spanja, Çekia, Maqedonia e Veriut dhe Pakistani, ky i fundit pa shenja klinike. Gjithashtu, gjatë mbledhjes u përcaktua se nga mostrat e mbledhura nga data 1 qershior-2 korrik rreth 38% e rasteve me këtë variant rezultonin të ishin raste të ardhur.
Organizata Botërore e Shëndetësisë që nga fillimi i kësaj pandemie ka raportuar se rastet e dyshuara me COVID-19 duhet të izolohen dhe monitorohen në kushte të veçanta. Sipas protokollit të përgjithshëm të OBSH kjo do të çojë në sigurinë dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor (në rast se simptomat e pacientit përkeqësohen), si dhe sigurinë e shëndetit publik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje