Lojëra me Dore

Tsitsipas kampion në “Finals Atp”, fillimi i një gjenerate të re në tenis

Stefanos Tsitsipas është kampioni i ri i “Finals Atp”. Tenisti i ri grek fiton titullin e katërt dhe sigurisht një nga më të rëndësishmit në karrierën e tij, që premton të jetë spektakolare. Tsitsipas iu imponua kundërshtarit, Dominik Thiem, në finalen që zgjati 2 orë e 35 minuta, ndërsa setet përfunduan 6-7, 6-2 dhe 7-6. Në moshën 21 vjeç e 3 muaj, greku është tenisti më i ri që nga 2001-shi që e fiton këtë turne, si dhe i riu i 6-të në historinw e tij, ku rekordi mbahet nga MekEnroe në vitin 1978, kur ai fitonte në moshën 19 vjeç e 11 muaj.

Një sezon i dominuar nga Rafael Nadal dhe Novak Gjokoviç, me spanjollin që fitoi në Paris dhe Flushing Meadows dhe me serbin që triumfoi në Australi dhe Uimbëlldon, është mbyllur nën shenjën e Stefanos Tsitsipas. Tenisti grek arriti të fitojë “Atp Finals” ndaj një lojtari në formë shumë të mirë si Dominik Thiem.

Stefanos Tsitsipas, fitues i "Atp Finals". Gazeta "Si", 18 nëntor 2019

Tsitsipas është fituesi i 5-të i “Masters” në 5 vitet e fundit, por ndryshe nga “outsider”-at e tjerë, kjo fitore pritet ta lançojë grekun drejt një karriere të madhe. Fati i tij duket se është parashkruar, pasi tenisti i ri ka fituar disa turne që tani. E ardhmja e tenisit është në duart e Stefanos Tsitsipas. Në moshën 38 vjeç e 3 muaj, Roxher Federer është më afër pensionit dhe pas tij me radhë Nadal dhe Gjokoviç. Me shumë mundësi, tre “tenorët” që kanë dominuar skenën e tenisit për më shumë se 15 vjet, po ia lënë vendin gjeneratës së re, me në krye Tsitsipas (21 vjeç), Medvedev (23 vjeç), Thiem (26 vjeç), Berretini (23 vjeç) dhe Shapovalov (20 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë