Teater

Trupa nga Bosnja çel edicionin e 8 të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Prishtinë

Në Prishtinë u çel edicioni i 8-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove “Prishtina International Theatre Festival 2024”.

Shfaqja e parë që iu prezantua publikut ishte nga Bosnja me titullin “Muhammad Ali, the one and only”, me regji të Dino Mustafić.

Shfaqja e cila fliste për raportin mes babait dhe fëmijës ka impresionuar publikun që në çastet e para. Aktorët janë duartrokitur nga publiku që ishte i madh në numër të madh. Kjo shfaqje delikate ishte një përzierje emocionesh për të gjithë të pranishmit, pasi ndërthurej me realitetin dhe aktualitetin për çdo familje.

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri Hajrulla Çeku, morën pjesë mbrëmë në ceremoninë hapëse në Teatrin “Faruk Begolli”. Kryeministri Kurti përmendi realizimin me sukses të Ligjit të ri për Kulturën, i cili, sipas tij, do të reduktojë burokracitë për teatrot dhe do të rriten mundësitë dhe hapen dyert e bashkëpunimit edhe më shumë.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe drejtori i festivalit, Zijad Mehić, ambasadori i Shqipërisë, Petrit Malaj, përfaqësues të institucioneve kulturore, artistë dhe artdashës dhe studentë. Ndërkohë sonte në natën e dytë të Prishtina International Theatre Festival, do mund të ndiqen dy shfaqje të ftuara: “The Feral Womxn” nga Gjermania me regji të Jemima Rose Dean dhe “Bretkosa” nga Kosova me regji të Burbuqe Berishës. (ATA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë