Nga Gazeta ‘SI’ – Për bankat që operojnë në Shqipëri, mjedisi i jashtëm gjeopolitik dhe ekonomik vlerësohet si rreziku kryesor, me perceptim në rritje.
Raporti 6-mujor i Bankës së Shqipërisë thotë se bankat janë të pasigurta me zhvillimet jashtë vendit, sidomos me ndryshimet në administratën e re amerikane që mund të shkaktojë goditje të sektorit bankar.
“Veçanërisht konflikti në Rripin e Gazës dhe mundësia e përshkallëzimit të tij në rajon, si dhe vazhdimi i luftës në Ukrainë, zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe pasiguria lidhur me qëndrimet dhe politikat e administratës së re, duket se kanë mbajtur të lartë shqetësimin e bankave në vend mbi rrezikun e transferimit të goditjeve të mundshme negative nga jashtë, duke e klasifikuar atë si rrezikun sistemik më të rëndësishëm të periudhës”, shkruhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.
Rreziku i dytë më i madh mbeten sulmet kibernetike, me një rënie të lehtë të perceptimit. Rritja e digjitalizimit të aktivitetit bankar në vend ka rritur njëkohësisht dhe rrezikun nga sulmet kibernetike, episodet e të cilave kane qenë të pranishme në vitet e fundit, duke dëmtuar herë pas here vijimin normal të aktivitetit. Kjo ka bërë që fokusi i bankave mbi këtë rrezik të mbetet i lartë dhe një pjesë e mirë e tyre deklarojnë se kanë ndërmarrë tashmë masa konkrete për përmirësimin e sistemeve përkatëse të mbrojtjes.
Rreziku i tretë sipas bankave në Shqipëri, është luhatja e çmimeve të pasurive të paluajtshme. BSH analizon se dinamikat e kohëve të fundit në tregun e pasurive të paluajtshme dhe rritja e shpejtë e çmimeve, kanë rritur shqetësimin e bankave lidhur me ecurinë e ardhme të tyre, në kushtet kur një pjesë e konsiderueshme e portofoleve të tyre të kredisë është e ekspozuar me aktivitetin e këtij tregu. Kjo është reflektuar dhe në rritjen e shpejtë të vlerësimit të këtij rreziku gjatë periudhës.
Ndryshe nga dy vrojtimet e kaluara, vlerësimi i bankave mbi “rrezikun e përkeqësimit të ekonomisë së brendshme” ka qenë në rritje gjatë periudhës, duke e ripërfshirë në grupin e rreziqeve kryesore sistemike.
Në terma të përgjithshëm, bankat perceptojnë se mundësia e materializimit të një (ose disa) prej rreziqeve të lartpërmendura në të ardhmen afatshkurtër (deri në një vit) dhe atë afatmesme (1-3 vjet), momentalisht është nën nivelin mesatar dhe në rënie. Pavarësisht sfidave të momentit, situata e mirë e kapitalizimit dhe likuiditetit të sektorit ka bërë që besimi i bankave në qëndrueshmërinë e sistemit financiar në të ardhmen të mbetet mbi nivelin mesatar dhe në rritje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.