Bota

Trump, ‘pakt’ me Meksikën për emigracionin. Presidentja: Nuk ka plan për mbylljen e kufirit

Gazeta Si- Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump njofton një marrëveshje me Meksikën në fushën e emigracionit.

“Kam pasur një telefonatë të mirë me presidenten e re, Claudia Sheinbaum Pardo, ajo ra dakord të ndalojë emigrimin nga Meksika në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, - shpjegon Trump në rrjetin e tij social “Truth”, duke nënvizuar se “Meksika do të ndalojë ata që duan të shkojnë në kufirin tonë me efekt të menjëhershëm, kjo do të shkojë shumë drejt ndalimit të pushtimit të paligjshëm”.

E menjëhershme ka qenë përgjigja e presidentes së Meksikës, Claudia Sheinbaum Pardo, e cila deklaron se nuk ka plan për mbylljen e kufirit me Shtetet e Bashkuara.

"Në bisedën me Trump shpjegova strategjinë e Meksikës për të trajtuar fenomenin e emigrimit duke respektuar të drejtat e njeriut. Ne ritheksojmë se qëndrimi i Meksikës nuk është të mbyllë kufijtë, por të ndërtojë një urë midis qeverive dhe popujve", tha ajo.

 “Ne po ashtu biseduam për bashkëpunimin në çështjet e sigurisë, brenda kornizës së sovranitetit tonë dhe në kuadër të fushatës që po realizojmë për parandalimin e përdorimit të fentanilit”, tha ajo.

Emigrimi i paligjshëm përgjatë kufirit me Meksikën ka rënë pjesërisht për shkak se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka bashkëpunuar me Meksikën për përforcimin e sigurisë.

Arritjet në kufirin SHBA-Meksikë kanë rënë për 40 për qind, nga niveli rekord që u shënua dhjetorin e kaluar. Zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar se kjo ka ndodhur për shkak të kontrolleve të shtuara në anën meksikane.

Të shtyrë nga presioni në rritje nga SHBA-ja për të bllokuar emigrantët që nisen drejt veriut, në vitet e fundit autoritetet meksikane i kanë grumbulluar emigrantët nga mbarë vendi dhe po i kanë dërguar në jug të Meksikës, një strategji që disa ekspertë e kanë parë si përpjekje për të dekurajuar emigrantët, në mënyrë që ata të mos tentojnë të kalojnë për në SHBA.

Dy udhëheqësit biseduan disa ditë pasi Trump kërcënoi se do të vendoste tarifa të reja ndaj Kanadasë dhe Meksikës si pjesë e përpjekjeve të tij për të frenuar imigrimin ilegal dhe trafikimin e drogës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë