Bota

Trump kundër Melonit: Jam i shokuar! Nuk do të na ndihmojë në luftë

Gazeta Si – Donald Trump është “i shokuar” nga qëndrimi i Giorgia Melonit. Presidenti amerikan, e diskutoi këtë në një intervistë të shkurtër telefonike me “Corriere della Sera”-n, ku tha se kryeministrja italiane, “nuk mendon se Italia duhet të përfshihet”, në luftën e Lindjes së Mesme.

“Ajo mendon se Amerika duhet të punoj për të”. Ai tha gjithashtu: “Jam i shokuar prej saj. Mendova se ishte e guximshme, por gabohesha […] Ajo është shumë ndryshe nga ajo që mendoja”.

Gjatë intervistës me gazetën italiae, Trump theksoi: “Ajo nuk dëshiron të na ndihmojë të heqim dorë nga armët bërthamore”.

Sa i takon ish-kryeministrit hungarez, Orban, Trump hoqi një paralele me Italinë sa i takon emigrantëve: “Ai nuk i la njerëzit të vinin dhe ta shkatërronin vendin e tij siç bëri Italia”.

Ai kritikoi gjithashtu edhe rolin e Evropës në krizën energjetike dhe emigracionin, duke thënë se politikat aktuale po dëmtojnë vetë kontinentin.

Trump u shpreh kritik edhe ndaj Papa Leonit, duke thënë se nuk e kupton situatën e Iranit dhe kërcënimet që, sipas tij, lidhen me armët bërthamore. “Papa nuk e kupton çfarë po ndodh dhe nuk duhet të flasë për luftën,” deklaroi ai.

Presidenti amerikan tha gjithashtu se vendet e NATO-s nuk po kontribuojnë sa duhet në çështjet e sigurisë dhe se, sipas tij, aleanca “nuk po funksionon siç duhet”.

Ai kritikoi edhe politikat e emigracionit në Evropë, duke pretenduar se ato po dëmtojnë stabilitetin e vendeve evropiane. “Evropa po shkatërron veten nga brenda me politikat e saj të imigracionit dhe energjisë. Ata paguajnë kostot më të larta të energjisë në botë dhe as nuk janë të përgatitur të luftojnë për Ngushticën e Hormuzit, nga ku e marrin atë. Ata varen nga Donald Trump për ta mbajtur atë të hapur”, tha ai.

Deklaratat e Trump vijnë në një kohë tensionesh të rritura ndërkombëtare dhe kanë ngjallur reagime të forta në politikën evropiane.

Dje, Meloni e quajti kritikën e Trump ndaj Papa Leo XIV, “të papranueshme”, në atë që është shndërruar në një polemikë të madhe.

Në intervistë, Trump i tha Melonit: “Je ti ai që je i papranueshëm, sepse nuk të intereson nëse Irani ka një armë bërthamore dhe do ta hidhte në erë Italinë brenda dy minutash nëse do të kishe mundësi”.

Ky është një ndryshim thelbësor në qasje. Meloni ka kohë që përpiqet ta paraqesë veten si shumë të afërt me Trumpin dhe si një lloj ndërmjetësueseje në Evropë, duke shfrytëzuar edhe afinitetin e tyre ideologjik.

Megjithatë, në muajt e fundit, Trump ka adoptuar një retorikë gjithnjë e më kërcënuese dhe agresive ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe marrëdhënia e tyre është bërë problematike për Melonin.

Përtej pyetjes së Papës, Meloni ka thënë se Italia nuk do të marrë pjesë në iniciativat ushtarake për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, siç donte Trump.

Në fillim të prillit, qeveria e saj i mohoi Shteteve të Bashkuara lejen për të përdorur bazën ushtarake Sigonella për të ulur dhe më pas për të nisur dy avionë ushtarakë amerikanë në Lindjen e Mesme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë