Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se SHBA-ja ka “në shënjestër” të saj 52 baza iraniane dhe do t’i hedhë në erë “shumë shpejt nëse Teherani sulmon trupat amerikane.
Deklarata e presidentit erdhën pas kërcënimeve të Iranit se do të hakmerrej për vrasjen e komandantit Qasem Soleimani, një gjeneral i lartë iranian.
Vrasja e Soleimanit ishte kthese e madhe që çoi në përshkallëzimin e frikshëm midis dy kombeve. Duke shkruar në Twitter, zoti Trump akuzoi Iranin se po bëhej gati të sulmonte disa baza amerikane.

Ai tha që SHBA. kishte identifikuar 52 site iraniane, disa “shumë të rëndësishme për Iranin dhe kulturën iraniane”.
Presidenti tha se objektivat përfaqësonin 52 amerikanët që ishin mbajtur peng në Iran për më shumë se një vit nga fundi i vitit 1979 pasi u morën nga ambasada e SHBA në Teheran.
Menjëherë pasi u postuan mesazhet e presidentit, faqja një agjensie qeveritare amerikane u sulmua nga një grup që e quante veten “Hakerat e Iranit”. Në një mesazh në faqen e Depozitave Federale Amerikane thuhej: “Ky është një mesazh nga Republika Islamike e Iranit. Ne nuk do të ndalim mbështetjen për miqtë tanë në rajon: njerëzit e shtypur të Palestinës, njerëzit e shtypur të Jemenit, njerëzit dhe qeverinë siriane, njerëzit dhe qeverianë e Irakut, njerëzit e shtypur të Bahreinit, rezistencën e vërtetë të Muxhahedinëve në Liban dhe Palestinë dhe ata gjithmonë do të mbështeten nga ne “.
Pas vrasjes nga ushtria amerikane të gjeneralit Soleimani, janë ngritur mjaft pikëpyetje rreth nivelit të tensioneve që kjo ngjarje do të krijojë mes dy vendeve.
Soleimani ishte drejtues i operacioneve ushtarake të Gardës Revolucionare Islamike jashtë vendit, Forcat Quds, e shpallur si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Ai ka mbështetur grupet terroriste në Liban, regjimin e Asadit në Siri dhe ka mbikqyrur operacionet për përhapjen e ndikimit ushtarak iranian në Irak.

“Qassem Soleimani ishte njeriu i dytë më i fuqishëm në Iran. Asnjë komandant ushtarak, asnjë politikan nuk kishte fuqinë që kishte ai”, thotë Mehdi Parpanchi, Drejtor i Radio Fardas.
Bota tani po pret të shohë nëse Irani do të hakmerret, ndërsa udhëheqësit e tij po kërcënojnë me përgjigje të ashpra ndaj vrasjes së gjeneral Soleimanit.
“Ne nuk po shkojmë drejt një lufte përgjithshme. Ajo që ka të ngjarë të shohim është një seri përshkallëzimesh reciproke e goditje asimetrike që ndoshta nuk do të kufizohen në Irak apo në Lindjen e Mesme”, thotë Kirsten Fontenrose nga Këshilli Atlantik.
Shtetet e Bashkaura dërguan një kontigjent prej 750 trupash shtesë në rajon në fillim të kësaj jave. Pjesa tjetër e kësaj brigade, rreth 3,000 ushtarë të tjerë, do të dislokohen në Lindjen e Mesme në orët e ardhshme.

Mijëra vetë, mes tyre dhe Kryeministri i Irakut Adel Abdel Mahdi, morën pjesë të shtunën në ceremoninë e varrimit të gjeneralit iranian Qassem Soleimani.
Presidenti Donald Trump tha se ai e pati urdhëruar sulmin për të ndaluar një sulm të afërt që Soleimani kishte planifikuar të kryente ndaj amerikanëve në rajon.
Shumë nga personat që morën pjesë në ceremoninë e varrimit të së shtunës ishin veshur me të zeza dhe mbanin flamuj irakianë e të militantëve të mbështetur nga Irani. Disa prej tyre thërrisnin “vdekje Amerikës”.
Presidenti Trump tha se ai e urdhëroi sulmin që të ndalonte një luftë dhe jo për të niste një të tillë, siç u shpreh ai.
Uashingtoni ka mbyllur ambasadën në Bagdad dhe ka urdhëruar qytetarët amerikanë të largohen nga vendi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.