Editorial

Trump do t’i shpallë kartelet e drogës si grupe terroriste

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së ndodhet në një vizitë në Meksikë, ndërkohë që administrata Trump po bëhet gati t’u shpallë luftë karteleve meksikane të drogës.

William Barr pritet të diskutojë me autoritetet meksikane situatën e sigurisë në vend. Vizita vjen ndërkohë që Presidenti Donald Trump po e konsideron shpalljen si grupe terroriste të të gjitha karteleve meksikane të drogës. Barr ka takuar Presidentin Meksikan Andrés Manuel López Obrador, Ministrin e Jashtëm Marcelo Ebrard dhe zyrtarë të tjerë të lartë të zbatimit të ligjit.

Vizita e Barr vjen pas rritjes së dhunës së karteleve në Meksikë, ku nëntë qytetarë amerikanë u vranë muajin e kaluar. Administrata Trump ka vazhduar të bëjë presion ndaj López Obrador që të frenojë kartelet dhe të frenojë rritjen e shkallës së vrasjeve të vendit, e cila ka vendosur një rekord këtë vit.

Presidenti amerikand Donald Trump, Gazeta Si, 2019

Por çfarë do të thotë emërtimi i kartelave si grupe terroriste? Nëse shkon përpara me këto plane, kartelet do të futeshin në listën e Organizatave të Huaja Terrorizmit të Departamentit të Shtetit , së bashku me Shtetin Islamik dhe al-Kaedën. Kjo do të dobësonte financimin e karteleve. Por kjo strategji e ka alarmuar Meksikën, e cila e akuzoi SHBA-në për "ndërhyrje".

Trump tha gjatë një interviste për “Fox News” javën e kaluar se ai tashmë i kishte ofruar ndihmë presidentit meksikan Andres Manuel Lopez Obrador por që homologu i tij e kishte refuzuar ofertën. "Unë në fakt i kam ofruar atij të na lërë të hyjmë dhe ta pastrojmë Meksikën nga kartelet e drogës," tha Trump në intervistë.

Po ashtu, Trump duket se iu referua karteleve të drogës në Meksikë gjatë një konference për shtyp të martën në Londër, gjatë një samiti të NATO-s: "Ne do të shohim forma të tjera të terrorit. Ne do të shikojmë vendet që janë agresive edhe për shkak të krimit të organizuar”, deklaroi ai.

Trafikantët e lëndëve narkotike tashmë mund të sanksionohen në bazë të Ligjit Kingpin; duke u dhënë prokurorëve të Departamentit Amerikan të Drejtësisë të dënojnë mafiozët meksikanë pa marrë miratimin e autoriteteve meksikane.

Përleshjet mes karteleve të drogës në Meksikë. Gazeta Si, 2019

“Përcaktimi si grupe terroriste është një dënim historik dhe moral i karteleve të drogës", thotë Peter Harrell, një ekspert sigurie. "SHBA po dërgon një mesazh se kartelet janë të rrezikshme por se gjithashtu se janë edhe organizata terroriste."

Të jetosh mes dhunës

Kartelet meksikane janë organizatat më të fuqishme dhe më të rrezikshme të mafias në botë. Ato njihen për disa nga aktet më të dhunshme të raportuara në media, si prerja e kokave, torturat, vrasjet dhe rrëmbimet e shumta. Kartelet e drogës kanë lidhje jashtëzakonisht të fuqishme në trafikun e paligjshëm të armëve dhe janë shpesh herë më të armatosur se ushtria meksikan. Dy nga klanet më të fuqishme janë ato të Bravos dhe Zetas, të cilët janë në një luftë të vazhdueshme kundër njëra-tjetrës.

Në Meksikë, veçanërisht në veri të vendit, qytetarët kanë frikë se dhuna nga kartelet e drogës do të arrijë në nivele që nuk janë parë që nga viti 2013, kur karteli Zetas kontrollonte të gjithë zonën. Gjatë fundjavës, 23 njerëz u vranë në një përleshje me armë në shtetin Coahuila, ku Cartel del Noreste, i cili kontrollohet nga Zeta, po kërkon të shkëputet. Ndërkohë, autoritetet amerikane të emigracionit vazhdojnë të kthejnë mbarash azilkërkuesit në Meksikë, përfshirë në disa zona ku banorët jetojnë mes dhunës.

Rrjetet e trafikimit të drogës punësojnë 600,000 persona në Meksikë. Këto kartele fitojnë nga 19 miliardë deri në 29 miliardë dollarë në vit. Përafërsisht 15,000 të rinj të trajnuar punojnë për kartelet, të cilat janë të pajisura me drone, granata, mitralozë dhe madje edhe automjete të blinduara. Të gjitha këto para dhe armatime shpërndahen nga “gangsterët e vjetër të drogës” të cilët kontrollojnë mbi 45 përqind të Meksikës, duke përfshirë edhe shtetet perëndimore dhe ato kufitare.

Mbi 239,000 persona janë vrarë në Meksikë që kur Presidenti Felipe Calderón u shpalli luftë karteleve në vitin 2006. Disa fajësojnë dhunën e kriminelëve, të tjerë dhunën e policisë. Meksika është në rrugën e duhur për të tejkaluar 30,000 vrasje në vit. Gangsterët e karteleve po vrasin edhe zyrtarët qeveritarë; 97 politikanë dhe 48 kandidatë politikë janë vrarë që nga shtatori i kaluar.

Përleshjet mes karteleve të drogës në Meksikë. Gazeta Si, 2019

Presidenti Lopez ka premtuar të luftojë dhunën dhe të zhdukë korrupsionin politik. Për të arritur këto qëllime, ai ka sugjeruar që të rishkruhen rregullat e luftës kundër drogës dhe të negociojnë armëpushimin me të gjitha kartelet. Deri më tani, propozimet e tij mbeten të paqarta. Por në prill ai sugjeroi dhënien e amnistisë për trafikantët e drogës dhe ka premtuar një strategji jo të dhunshme, nën sloganin "Përqafime, jo Plumba". Kjo strategji synon të zvogëlojë dhunën e lidhur me drogën duke krijuar vende pune për të rinjtë në vend që t'i ndëshkojë ata për rolin e tyre në tregtinë e drogës, por deri më tani nuk ka rezultuar e suksesshme.

"Njerëzit duhet të jenë të arsyeshëm me pritshmëritë e tyre- tha për Al-Jazeera një profesor i historisë meksikane në Universitetin Shtetëror të Chicos- SHBA nuk do t'i ndalë trafikimin e armëve në kufirin meksikan dhe për aq kohë sa amerikanët të blejnë drogë, kartelet do të kontrollojnë pjesë të tëra të vendit dhe shumë njerëz do të vazhdojnë të vdesin.”

Rrënjët e luftës kundër drogës shkojnë shumë më thellë se varfëria. Përafërsisht 25 milionë qytetarë amerikanë dhe 4 milionë qytetarë meksikan përdorin opiumin, heroinën dhe droga të tjera


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë