Lojëra me Dore

Tronditen Lejkërsat, Mexhik Xhonson jep dorëheqjen

Në një konferencë të papritur për shtyp përpara ndeshjes me Portland, Ervin “Mexhik” Xhonson ka dhënë dorëheqjen si presidenti i Los Anxheles Lejkërs. Ka qenë një sezon i dështuar për këtë skuadër të madhe të basketbollit amerikan, një dështim kolosal, duke mos shkuar në fazën “Play-off” në vitin e parë të erës “LeBron”. Para ndeshjes së fundit në shtëpi, Lejkërsat janë edhe pa president.

“Jap dorëheqjen” – ka thënë Xhonson në fillim të konferencës. “Jam një njeri i lirë, që ka qenë në “pranga” këtë periudhë. Kjo gjë nuk më pëlqen. Jeta ime ishte e shkëlqyer para se të nisja këtë punë dhe mezi po pres t’i kthehem asaj jete”, - ka vazhduar 59-vjeçari. Xhonson ka theksuar se Lejkërsat janë në drejtimin e duhur dhe me blerjen e një lojtari të mirë, sezonin tjetër do të jenë në një nivel më të lartë. Ai ka pohuar se askush nuk e ka vënë në presion, por mund të kuptohet se raporti me Xhini Bas, pronaren e ekipit, ka qenë i vështirë. “Dikush duhet t’i thotë se po largohem, sepse unë nuk mundem ta shikoj në sy dhe t’ia them. Jemi takuar dje dhe kemi biseduar për situatën. Më ka dhënë fuqi për çdo vendim. Nuk jemi grindur kurrë dhe nuk dua kurrë të zihem me të. Ndihem më mirë si ambasador, si simbol. Nesër mund të prish jetën e dikujt dhe nuk është kjo ajo që dua. Nuk dua të futem mes Xhinit dhe Luk”, - ka theksuar ish-basketbollisti i madh.

https://twitter.com/Lakers/status/1115820413295022080

Lamtumira e “Mexhik” Xhonsonit është finalja e një sezoni të dobët. Xhonson mendonte të shkarkonte trajnerin Ualton, i cili gjithmonë ka pasur mbështetjen e Xhini Bas. Ka qenë pikërisht pozicioni i trajnerit Ualton arsyeja e vërtetë e largimit të Xhonsonit, i cili do të mbetet në memorie si njeriu që solli LeBron Xhejmsin te Lejkërsat. Ai e mori presidencën e këtij ekipi më 21 shkurt 2017. Dështimi i këtij sezoni, ku “Playoff”-i ishte objektivi minimal, ka bërë që Xhonson të dorëhiqet dhe tani Lejkërsat duhet të nisin gjithçka nga zero, me LeBron Xhejmsin që për herë të parë ka dhënë shenjat e rënies, si dhe me disa të rinj që nuk janë ende në gjendje të bëjnë liderin. “Mexhik” Xhonson e provoi nga tavolina e zyrës t’i nxirrte Lejkërsat nga hallet, por dështoi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë