Lojëra me Dore

Triumfojnë vajzat e Partizanit, titulli i dytë radhazi në volejboll

Ashtu siç pritej, Partizani është shpallur kampion i Shqipërisë në volejboll për femra. Ekipi i drejtuar nga trajneri Roland Tarja, ka triumfuar në finale kundër Tiranës 2-3 me sete. Ndeshja e zhvilluar në sallën sportive “Fahrije Hoti” ishte e katërta finale, teksa në tre të parat, Tirana kishte fituar të parën, duke i mbyllur këto finale me rezultatin e përgjithshëm, 1-3.

Tirana e filloi shumë mirë këtë finale të katërt përballë publikut të saj në “Fahrije Hoti”, duke fituar setin e parë 27-25. Por në dy setet e tjera vajzat e Partizanin marrin në kontroll ndeshje dhe arrijnë të fitojnë me diferencë të thellë, 16-25, 15-25.

Seti i katërt do të ishte shumë i luftuar dhe zgjati deri në pikën e fundit, aty ku vajzat bardheblu u treguan më të sakta dhe arritën të fitojnë 30-28. Në setin final, Partizani mbledh forcat, eliminon të gjitha gabimet dhe arrin të imponohet përballë Tiranës, e cila u detyrua të pranojë se nuk mund ta shtynte më shumë festën e Partizanit për titullin kampion. Ky është kampionati i dytë radhazi për Partizanin në volejboll për femra, pas atij që fitoi vitin e shkuar, që vinte pas një ndërprerje më shumë se 50-vjeçare. Ekipi i Partizanit është në finale edhe në volejbollin e meshkujve, ku deri më tani ka fituar finalen e parë me Vllazninë e Shkodrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë