Gazeta Si – Arlen Hasanaj, 36-vjeçari që u arrestua për vendosjen e lëndës plasëse te shtëpia e presidentit të FSHF-së Armand Duka, është liruar nga burgu.
Gjykata e Durrësit ka ndryshuar masën e sigurisë nga arrest në burg në detyrim paraqitje në seancën që u zhvillua me dyer të mbyllura. Provat e grumbulluara nga pala mbrojtëse u pranuan nga gjykata, e cila ndryshoi masën e sigurisë.
“Kërkuam ndryshim masë sigurie për mungesë të provave që implikojnë Hasanajn”, tha avokati i të riut, Ilia Ilia.
Ngjarja ndodhi pak pas orës 22:00 të 25 janarit. Gjithçka ndodhi brenda pak sekondash, ku autori ndezi fitilin e lëndës plasëse dhe më pas u largua me vrap. Vetëm pak çaste pas shpërthimit në zonë shfaqet policia.
Në orën 22:03 para portës së Armando Dukës, shfaqet një person i maskuar dhe me doreza. Ai ndez me çakmak fitilin e lëndës plasëse dhe më pas e hedh tek porta e hekurit. Pasi hedh lëndën plasëse i riu largohet me vrap, ndërsa brenda pak sekondash ndodh shpërthimi.
Një patrullë policie mbërrin menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa në zonë shfaqen edhe banorë të lagjes.
Nga shpërthimi i lëndës plasëse nuk pati dëmtime të mëdha, ndërsa kreu i FSHF Armand Duka dyshon se këto ngjarje kanë të bëjnë me zhvillimet e fundit për sa u përket zgjedhjeve në Federatën Shqiptare të Futbollit, pasi ka treguar edhe një mesazh kërcënues të ardhur në celularin e tij, ku e kërcënojnë të japë dorëheqjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.