Ngjarje

Tritoli në banesën e doganieres në Shkodër, pistë hetimi lidhja e të birit me bastet

Gazeta Si - Një ditë pas shpërthimit të tritolit në banesën e një 62-vjeçareje në Shkodër, doganiere në pikën e Hanit të Hotit, hetuesit po hetojnë si shkak pistën e konkurrencës për bastet online të djalit të saj.

Sipas burimeve, Dori Sala, djali i shtëpisë, dyshohet se është menaxheri i serverave të internetit të një kompanie bastesh.

Pavarësisht kësaj piste hetimi, personi në fjalë të cilit iu vendos tritol në derën e shtëpisë e ka mohuar një fakt të tillë, duke thënë se puna e vetme është ajo në një kompani internet.

Po ashtu shtetasi Dori Sala ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt dhe nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët.

“E vetmja punë që bëj është ajo në një kompani internet dhe nuk kam lidhje me asgjë tjetër. Nuk e di se kush mund të jenë autorët pasi nuk kam asnjë konflikt dhe nuk e di arsyen e kësaj ngjarje”, ka deklaruar shtetasi, banesat e të cilit u sulmua me eksploziv.

Megjithatë policia dhe prokuroria e kanë si pistën më të mundshme përfshirjen e Dori Salës në kompaninë e basteve sportive dhe mendohet se ky sulm ndaj tij është një paralajmërim për të mos u marrë më me bastet online.

Ngjarja ndodhi rreth orës 3:40 të një dite më parë kur tritoli shpërtheu në derën e shtëpisë të familjes Sala.

Kjo sasi tritoli shkaktoi vetëm dëme materiale ndërkohë që në banesë ndodhej e gjithë familja, shtetasja Frida Sala, bashkë me djalin Dori Sala dhe gruan e fëmijët e këtij të fundit.

Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet për vendosjen e sasisë së tritolit.

Efektivët kanë arritur që të sigurojnë pamjet e momentit të autorit të dyshuar, i cili vjen me një motor me skafandër në kokë dhe pasi hedh lëndën eksplozive në banesën e familjes largohet me shpejtësi.

Nga kamerat, policia nuk ka arritur që ta identifikojë autorin deri më tani për shkak të skafandrës që mbante në kokë.

62-vjeçarja Frida Sala, e cila punon në doganën e Hanit të Hotit tek peshorja duke peshuar mallrat që hynë e dalin në atë doganë, ka deklaruar se as ajo nuk ka konflikte me askënd.

Ndërsa për prokurorinë puna në doganë nuk qëndron si pistë hetimi, sepse për pak muaj kjo shtetase del në pension.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë