Ka ndodhur

Tritol në banesën e babait të vëllezërve Duka, të dyshuar për vrasjen e Santiago Malkos

Gazeta Si - Një sasi lënde plasëse ka shpërthyer në derën e banesës së Muhamet Dukës, babai i Leonard dhe Elis Dukës, të njohur për armiqësinë e tyre me të shumëkërkuarin e drejtësisë, Ervis Martinaj dhe për përfshirjen në botën e krimit. 

Lënda plasëse ishte vendosur në katin e katërt, në derën e banesës së 65-vjeçarit në zonën e Freskut, në afërsi të Institutit të Fizikës Bërthamore. Nga shpërthimi, nuk raportohen persona të lënduar, pasi dyshohet se ka qenë sasi e vogël lënde plasëse.

Vetë Duka ka deklaruar se nuk ka dijeni kush mund të jenë autorët. Muhamed Duka nuk jetonte në atë banesë që prej 4 vitesh, pra shtëpia ka qenë bosh gjatë shpërthimit.

Për ngjarjen është ngritur një grup hetimor që po punon për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e kapjen e autorit.

Ndërkohë, Leonard Duka u vu në pranga në muajin shkurt në Belgjikë, pasi kërkohej për vrasjen e ish-policit Santiago Malko në gusht të vitit 2019.

Policia belge në Bruksel i gjeti armë zjarri në banesë dhe një sasi e konsiderueshme parash.

Leonard Duka, njihet si kreu i ‘Klanit Duka’, grupi kriminal që ka pasur një konflikt të vazhdueshëm me grupin e Ervis Martinajt.

Emri i Dukës është shumë i njohur për drejtësinë, por edhe për publikun shqiptar.

Ai është arrestuar në vitin 2019 nga një super operacion për luftën kundër trafikut të drogës. Ai ka qenë në kërkim edhe një atentat të dështuar më parë.

Kreu i klanit “Duka” dhe Martinaj më parë kishin qenë miq dhe ortakë në biznesin e lojërave të fatit, më pas patën përplasje të ashpra pikërisht dhe u përfshinë në një konflikt prej këtij aktiviteti disa milionësh. 

Pas prishjes së ortakërisë mes tyre, Martinaj mori peng dhe keqtrajtoi babanë e Dukës.

Pas kësaj, ishte radha e Dukës që të merrte hak ndaj Martinajt, fillimisht duke dashur ta eliminojë atë fizikisht, por pasi dështoi, i ekzekutoi krahun e tij të djathtë, Santiago Malkon.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë