Ka ndodhur

Tritol lokalit në Velipojë, shpëton mrekullisht një nga pronarët. Sulmi i dytë brenda 2 muajsh

Gazeta Si - Në tarracën e lokalit të një 35-vjeçari me iniciale A.D., është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse në fshatin Rrjoll të Velipojës.

Rreth orës 3 të mëngjesit, dy persona të maskuar janë afruar lokalit dhe njeri prej tyre, nga pas, ka hedhur lëndën plasëse mbi soletën e restorantit dhe me pas janë larguar me shpejtësi.

Policia thotë se nga shpërthimi ka vetëm dëme të vogla materiale. Kjo është hera e dytë brenda dy muajsh, që ky lokal sulmohet.

Kristian Preka

Herën e parë u qëllua me armë zjarri, ndërsa mëngjesin e kësaj të marte me tritol. Fatmirësisht njëri prej pronarëve ka shpëtuar për mrekulli, pasi ka qenë duke fjetur pak metër më larg kur ndodhi shpërthimi.

Pronari Kristian Preka, tregon se prej 10 vitesh jeton në Gjermani dhe të gjitha kursimet i ka investuar në fushën e turizmit në këtë restorant. Ai i bën thirrje policisë dhe prokurorisë të zbardhin ketë ngjarje të përsëritur.

"Unë jam emigrant në Gjermani që 10 vite. E pash të arsyeshme të bëja një investim në vendin tim, dhe shikoje çfarë ndodh. Të vijnë të sulmojnë pa i pasur kujt borxh, as asgjë, nuk e di, shumë i zhgënjyer. Shpresoj që policia të merret seriozisht se është hera e dytë, të gjenden autorët sa më shpejt”, - u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë