Gazeta Si – Një sasi tritoli i është vendosur mëngjesin e kësaj të premteje në Sanxhak të Laçit shtëpisë së Skënder Likës, babai i autorit të vrasjes së biznesmenit Rakip Roli. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale edhe te banesat përreth.
Fqinjët janë shprehur të frikësuar nga shpërthimi i tritolit. Ata tregojnë se kanë dalë me vrap nga banesat pa kuptuar asgjë çfarë kishte ndodhur.
“Shumë e frikshme, ishin në gjumë, u dëgjua në maksimum, menduam se ishte tërmet, vetëm kur dolëm jashtë u mor vesh se ç’po ndodhte, çatia e prishur. Të gjithë kemi qenë në banesë, u tronditëm”, tha njëri prej tyre.
Pilot Rroli, i njohur dhe si Rakip Rroli, u ekzekutua me armë në orën 08: 45 minuta të 10 dhjetorit 2021, teksa lëvizte me makinën “Audi Q7” me targa AA001TB, në aksin e vjetër rrugor që lidh Laçin me Mamurrasin, pranë fshatit Sanxhak të Kurbinit.
Të paktën 7 plumba në trup i kanë shkaktuar vdekjen 55-vjeçarit para një viti e gjysmë. Në momentin e sulmit, ai ka tentuar të largohet, por nuk u ka shpëtuar plumbave.
Pak orë më pas, burimet nga policia thanë se babë e bir, Skënder e Ilaj Lika u shpallën në kërkim, pasi dyshohej se janë ekzekutorët e 55-vjeçarit. Më 11 dhjetor 2021 babë e bir u arrestuan nga policia në zonën e Fushë Milotit.
Dyshohet se i riu Lika e ka vrarë Rolin për hakmarrje, pasi para pak kohësh është konfiktuar me djemtë e tij, të cilët kanë ushtruar dhunë.
Po ashtu, Skënder Lika është xhaxhai i Ilir Likaj (Xhepaj), i arrestuar për vrasjen e dy biznesmenëve në një hotel në Mamurras, përkatësisht të shtetasve Paulin Gjergji dhe Bujar Lika (ky i fundit pa lidhje farefisnore me autorin e vrasjeve).
Ndërkohë, dy vite më parë, më 20 shkurt 2021, persona ende të paidentifikuar kishin vendosur në derën e banesës së Skënder Likës, 8 plumba.
Ishte Lika që i pikasi plumbat, ndërsa fill pas kësaj bëri denonconin në polici. Ndërkohë që vëllait të Skënderit, Myslim Likës iu bë atentat pak ditë para ngjarjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.