Ngjarje

‘Trimoshi’ që rreh gruan – Historia e burrit që u hodh nga kati i tretë

“Alo… im shoq u kthye në shtëpi. Nuk e përballoj dot, do më vrasë…”
Duke iu dridhur zëri, me këtë fjali 30-vjeçarja Klodiana Xhelali kërkoi ndihmën e policisë në numrin pa pagesë. Por, kur policia mbërriti në shtëpinë e çiftit në rrugën “Llambi Bonata” në Kombinat, burri u mbyll në dhomë së bashku me gruan dhe dy fëmijët e vegjël që rezultuan dëshmitarë të një situate të pazakontë. Prokuroria shpjegon se pas thirrjeve të policëve që mbërritën në vendngjarje dhe pasi kanë trokitur disa herë, bashkëshorti i dhunshëm nuk përgjigjej. Etem Kambellari e mbante çelësin të shtrënguar në dorë. Ndërsa për këto minuta të tensionuara teksa burri nuk dorëzohej dhe as pranonte të hapte derën, e shoqja Klodiana dëshmon në dosjen që Gazeta Si disponon:
“Im shoq nuk e hapi derën pavarësisht thirrjeve, e kishte mbyllur me çelës nga brenda. Në këtë moment iu luta policëve, - shton nëna e dy fëmijëve - që të largoheshin. Ju thashë që do shkoja vetë në komisariat sapo bashkëshorti të qetësohej”.
Por, prokurori i çështjes, duke ju referuar asaj që ndodhi më vonë, evidenton se policët kërkuan përforcime dhe ndërhyrjen e zjarrfikësve për të hapur derën e blinduar.
Gruaja kujton duke dëshmuar:
“Policia ishte pas derës, kur im shoq dëgjoi zërin e tyre që kërkonin zjarrfikëset për të shembur derën, burri u lëshua nga dritarja e dhomës së gjumit dhe u hodh nga kati i tretë. Ra në oborrin e katit të parë”.
Në fashikull shtohet se pas kësaj situate, policët kanë kërkuar njëkohësisht edhe një ambulancë për të transportuar të plagosurin në spital. Njëkohësisht, zjarrfikëset kanë hapur me forcë derën ku ishin të mbyllura gruaja e dhunuar së bashku me dy vajzat e vogla. Për hedhjen e bashkëshortit, Klodiana këmbëngul se ai nuk deshi të vriste veten.
“Deshi t’i ikte policisë, fillimisht ai tentoi të zbriste duke u kapur te tubat e shkarkimit, por nuk e mbajti dot ekuilibrin dhe ra”.
Klodiana, e cila është nga Kolonja, kishte tetë vjet e martuar. 30-vjeçarja kujton se është dhunuar shpesh, por që nuk kishte kallëzuar asnjëherë, pasi shpresonte se partneri do ndryshonte. Herën e fundit pasi kishte munguar tri ditë rresht në shtëpi, është kthyer në datën 9 qershor. Sapo ai ka mbërritur në shtëpi, gruaja është kyçur në dhomën e gjumit dhe nuk e ka hapur. Në mënyrë të pashpjegueshme, ai është kacavjerrë nga dritaret, duke hyrë në dhomën e gjumit ku e shoqja me dy vajzat ishin kyçur nga frika e tij. I ka marrë çelësin dhe ka vazhduar ta rrahë. Klodiana po ashtu shton:
“U fut në dhomën e gjumit, më kapi nga fyti dhe filloi të më qëllonte me grushte, shkelma dhe më goditi në kurriz. Më shtrëngonte për fyti dhe mezi merrja frymë. U mundova ta qetësoj, por ai bëhej akoma më i dhunshëm”.
Më vonë, Ethem Kambellari është arrestuar në spital për “dhunë në familje”, ndërsa më poshtë Gazeta Si po ju sjell foto të kryera në vendngjarje nga Komisariati Numër. 6.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë