Filma

Tri gazetare dhe “Katrori i Pushtetit”, çfarë synon seriali i Robert Budinës

Nga Luljeta Nelallari – Një përballje e madhe e ndërgjegjes me të drejtën dhe të padrejtën vjen e rrëfyer përmes një këndi tjetër, atij të medias… 

Ana tjetër e medaljes së medias në Shqipëri, ato të panjohurat që fshihen pas pjesës së kuruar në ekran si dhe sfidat që përjetojnë çdo ditë vajzat dhe gratë në këtë fushë sa të bukur aq edhe të vështirë shpërfaqen artistikisht në serialin më të ri me regji nga Robert Budina, “Katrori i Pushtetit”.

Tri gazetare të moshave dhe përvojave të ndryshme kanë marrë përsipër barrën për t’i sjellë publikut më afër prapaskenat e lojës së pushteteve që përballen çdo ditë.

Elva, gazetarja në karrierë, që është “martuar” me profesionin, Gentiana, 35 vjeç një gazetare e re, por që me pasionin dhe përkushtimin ndaj punës ka pjekurinë e një gazetareje të vjetër dhe Nina 25 vjeç, një e re që ka vendosur të bëhet një gazetare e rëndësishme janë bërë bashkë për të hedhur dritë mbi tri ngjarje kriminale që ndodhin në vend, në të njëjtën kohë.

E ndonëse nga njëra anë shohim gazetaret që përballen me sfida çdo ditë për të “kapur” lajmin dhe gjetur të vërtetën dhe sfidat e tyre për mbijetesë, nga ana tjetër është presioni dhe trysnia e kryeredaktorëve,  pronarëve të medias dhe ndërhyrjet e politikës dhe të krimit.  

Roli i kryeredaktorit vjen i mishëruar nga aktori Neritan Liçaj, i cili duhet të mbajë ekuilibra të vështirë mes profesionit, interesave të pronarëve dhe njerëzve të pushtetit, një kameleon, të cilit nuk i kuptohen kurrë qëllimet e vërteta.

Aktori Neritan Liçaj në rolin e kryeredaktorit të ERA TV

I xhiruar në formën e një seriali, filmi pasqyron me një gjuhë të thjeshtë realitetet e vështira shqiptare që marrin formë përmes personazhesh që vijnë jo vetëm nga bota e medias, por edhe politikës, krimit dhe biznesit. Ajo që godet më fort në film është se pushtetet nuk i gjejmë në një piramidë vertikale, por të ndërthurura si anët e një katrori, duke sjellë më afër pasojat e mosveprimeve në një shoqëri si e jona me demokraci të brishtë.

Përmes konflikteve profesionale që ndikojnë direkt në jetën e tyre personale, tri gazetaret gjatë gjithë filmit orvaten në këtë katror të përbërë prej medias, biznesit, politikës dhe krimit.

Ngjarjet që ndodhin janë të shumta duke nisur nga një politikan i njohur 50-vjeçar që humb jetën te lirimi i kokës së krimit, Bert Vela. Këto ngjarje përkojnë edhe me nxjerrjen me dhunë të banorëve nga shtëpitë e tyre, në një lagje në afërsi të Parkut të Madh të liqenit me motivin se do ta përdorte bashkia për një projekt zhvillimi. Gazetaret për të gjetur fillin e ngjarjeve do të përballen me pasoja të rrezikshme për shkak të profesionit. Në këtë lëmë ngjarjesh jetët e tyre kalojnë nëpër sfida të forta, jo vetëm në karrierë por edhe në familje.

Ky film me 8 seri sipas regjisorit Robert Budina ndez një dritë reflektimi mbi të ardhmen që duam të kemi, duke bërë bashkë fijet e interesave që mbajnë lidhur Median-Politikën-Biznesin dhe Krimin.

“Mund të shihet si një denoncim, por do thosha duhet ta shohim më shumë si një reflektim, sepse nëse ne do bënim thjesht dhe vetëm artin e denoncimit dhe nuk arrijmë të prekim njerëzit do ngeleshim më shumë në kuadrin politik. Në fakt, duke prekur njeriun me gjithë qenien e tij, brendësinë, formimin e tij, ne kemi një mjet shumë më të fortë për të ndikuar tek ta dhe ky ka qenë qëllimi ynë”, shprehet për Gazetën Si regjisori Robert Budina.

Duke e cilësuar këtë film si një formë ndërgjegjësimi dhe reflektimi, ai vë theksin se në Shqipëri vuan ai që ka më pak mundësi.

“Sigurisht që denoncimet janë të drejtpërdrejta për mënyrën se si njerëzit sulmohen në Shqipëri, se si ai që s’ka mundësi, është ai që vuan më shumë se të tjerët në shoqëri dhe patjetër që fillon me mjetin e denoncimit, kurse qëllimi final është pa diskutim ndërgjegjësimi dhe të bërit e njerëzve të reflektojnë”.

Regjisori i “Katrori i Pushtetit”, Robert Budina

Regjisori rrëfen edhe arsyen se pse është zgjedhur vetëm figura femërore në këtë profesion.

“Zgjedhja e figurës femërore është bërë e qëllimshme, pasi meshkujt bëjnë lojën e pushtetit. Gratë dhe vajzat për mua nëse do të kishim një pushtet të vërtetë dhe jo të kontrolluar nga burrat, kam përshtypjen se shoqëria do të ishte më e drejtë, sepse në fund të fundit janë nëna”, vijon regjisori.

Në fund, Budina i mëshon fort faktit, se “Përtej realitetit, ky projekt synon të ringjall besimin se media dhe gazetaria mbeten instrumenti i vetëm për të rrëfyer të vërtetën në favor të interesit publik pa kompromis”.

Producentja Sabina Kodra dhe drejtorja ekzekutive e Rrjetit “Barazi në Vendimmarrje”, Edlira Çepani theksuan se vendosja në fokus këtë herë i medias shqiptare, në veçanti i sfidave që përjetojnë çdo ditë, vajzat dhe gratë në fushën e medias, synon të nxis diskutimin për një media të lirë dhe gjithëpërfshirëse.

Ky produksion audiovizual ishte komponenti i parë i nismës “Make it Visibile”, të financuar nga BE, që do të fokusohet në edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve mbi rëndësinë e lirisë së medias.

Çdokush që është familjar me historinë e këtij vendi, nuk mund t’i qëndrojë indiferent “Katrorit të Pushtetit”, pasi seriali të ul këmbëkryq në shoqërinë tonë, sa të kalbur, aq edhe të ndritshme.

Por, realiteti i pasqyruar në këtë serial me shumë gjasë nuk është vetëm ai shqiptar, por edhe i shumë vendeve të tjera në Ballkan e më gjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë