Në Festivalin e Filmit në Sarajevë në edicionin e 27-të kanë triumfuar edhe tri filma nga Kosova.
Çmimi “Zemra e Sarajevës” për aktoren më të mirë e fituan aktoret e filmit “Luaneshat e Kodrës”: Flaka Latifi, Era Balaj dhe Urata Shabani.
Ky ka qenë vlerësimi i jurisë së kryesuar nga aktorja Jasna Gjuriçiq e në përbërje të së cilës ishin edhe Mike Cahill (regjisor dhe skenarist), Lili Horvát (regjisore dhe skenariste), Eva Sangiorgi (drejtoreshë artistike e Viennales), si dhe Martin Schëeighofer (drejtor ekzekutiv i Austrian Film Comission).
Filmi “Luaneshat e Kodrës” është xhiruar në Kosovë dhe flet për tri shoqe të pandashme, të cilat janë në pritje të rezultateve për Universitet. Të ulura në një kodër, Qe (Flaka Latifi), Li (Era Balaj) and Jeta (Uratë Shabani) ëndërrojnë të shkojnë në një qytet më të madh për t’u pavarësuar e për t’i lënë prapa thashethemet dhe pengesat e tjera në fshatin e tyre.

‘Luaneshat e Kodrës’ është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.
Çmimi për promovimin e barazisë gjinore iu dha Norika Sefës për filmin “Në kërkim të Venerës”. Ndërkaq, mirënjohja e veçantë e jurisë iu nda filmit “Pa vend” me regji nga Samir Karahoda.
Në ceremoninë solemne të festivalit, që u mbajt të enjten, më 19 gusht, në Teatrin e Sarajevës, çmimi për filmin më të mirë e fitoi “Great Freedom” nga Sebastian Meisea.
Çmimi për regjisorin më të mirë iu dha Millica Todoroviqit për filmin “Celts”.
“Zemra e Sarajevës” për aktorin më të mirë shkoi te Georg Friedrich për rolin e tij në filmin “Great Freedom”.
Çmimi special i jurisë për filmin dokumentar iu dha filmave “The same dream” me regji të Vlado Petri, si dhe filmit “Looking for horses” të Stefan Pavloviqit.
Ndërkaq, dokumentari më i mirë u zgjodh “Landscapes of Resistance” nga Marta Popivoda.
Çmimi për të Drejtat e Njeriut si pjesë e programit të dokumentareve iu dha Ahmet Nexhdet Çupur për veprën e tij “Les Enfants Terribles”.
Ndërkaq çmimi për filmin më të mirë studentor shkoi për filmin “Summer Planning” të Alexandru Mironescu dhe “Everything ahead” e Mate Ugrin u zgjodh filmi më i mirë i shkurtër.
Festivali i Filmit në Sarajevë është gara më e madhe e filmit në Ballkanin Perëndimor.
Festivali i Sarajevës do të krijohej si “akt rezistence” pas viteve të luftës 1992-1995, dhe ka tërhequr shpesh yje të kinematografisë botërore, si Robert De Niro, Angelina Jolie, Brad Pitt, apo së fundmi dhe Isabelle Huppert.
Organizatorët promovojnë filmat nga Europa Juglindore. Këtë vit në Festival konkurruan 10 filma artistikë nga rajoni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




