Lojëra me Dore

Trepça fiton trofeun e Ligës Unike në Vlorë, mund Yllin në një finale emocionuese

Gazeta Si - Trepça ka fituar Ligën Unike në basketboll për meshkuj, një aktivitet i përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ishte një finale e bukur mes dy skuadrave kosovare të Trepçës dhe Yllit në Pallatin e Sportit “Flamurtari” të Vlorës.

Ylli e nisi më mirë ndeshjen, duke e fituar periodën e parë me 8 pikë avantazh, 19-11. Trepça reagoi më pas dhe fitoi periodën e dytë 22-15. Dy skuadrat shkuan në pushimin e finales me vetëm 1 pikë avantazh të Yllit 34-33.

Ylli fitoi 10-minutëshin e 3-të 18-13, duke kryesuar kështu me 6 pikë epërsi, 52-46. Skuadra nga Mitrovica nuk u dorëzua, luftoi deri në fund dhe fitoi periodën e fundit 21-14, si dhe gjithë ndeshjen me rezultatin 67-66, duke siguruar trofeun e Ligës Unike.

Edicionet e tjera të këtij aktiviteti janë fituar nga Ylli dhe Peja, tashmë atyre u bashkohet edhe Trepça.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë