Nga Gazeta ‘SI’ – Matjet e Ministrisë së Financave llogarisin se në vitin 2024 numri i të punësuarve në vend ra me më shumë se 13%.
Të dhënat janë publikuar në kuadrin makroekonomik 2026-2028 ku duket se tregu i punës, në 2024-n, kaloi në kahun negativ. Nga ana tjetër, INSTAT ende nuk ka bërë publike të dhënat për punësimin gjatë vitit që lamë pas. Gjatë 2024-s, shoqatat e manifakturës, industrisë dhe fasonerisë njoftuan shkurtime masive të punonjësve, si pasojë e krizës së shkaktuar nga kriza e euros.
Edhe për vitet në vijim, parashikimi i qeverisë për tregun e punës është pesimist, rritje me 0.1% gjatë viteve.

“Shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në forcat e punës do të jetë gjeneruesi kryesor i rritjes së ofertës së punës, ndërkohë që trendet negative demografike (të vërejtura prej disa vitesh tashmë) pritet të vijojnë të kenë efekte shtrënguese si në ofertën për punë, ashtu edhe në numrat agregat të punësimit përgjatë periudhës afatmesme në vijim”, analizon ministria e Financave.
Qeveria pret që punësimi të përqendrohet drejt sektorëve me produktivitet relativ më të lartë, duke reflektuar përmirësimet teknologjike në ekonomi. “Në të njëjtën kohë pritet që produktiviteti i përgjithshëm i punës të vijojë një përmirësim të konsiderueshëm gjatë kësaj periudhe dhe të jetë një faktor i rëndësishëm i gjenerimit të rritjes ekonomike në afatin e mesëm”, parashikohet në dokument.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.